Opozite e tredhur
Redaksionale
Dalëngadalë, mbi tragjedinë e Gërdecit, shihet qartë se po bëhen përpjekje cinike nga drejtuesit më të lartë të shtetit dhe të politikës që të hidhet “velloja e harresës”, duke e konsideruar si një aksident teknologjik. Gërdeci nuk është vetëm kaq. Kryeministri Berisha pa teklif i ka larë duart nga përgjegjësia e tij politike dhe qeverisëse për këtë ngjarje, e cila për çdo qeveritar të përgjegjshëm do të përbënte një njollë të madhe turpi në biografinë e tij politike. Nga ana tjetër shihet qartë edhe përpjekja që përgjegjësia të behët pingpong mes ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Prokuroria e Përgjithshme ka hedhur disa hapa në drejtim të zbardhjes së ngjarjes, duke kryer disa arrestime dhe duke kërkuar në Kuvend heqjen e imunitetit për ish-ministrin e Mbrojtjes, Mediu. Ndonëse media me dokumente ka arritur të zbardhë thuajse pjesën më të madhe të aferës korruptive të tregtisë së armëve, që çoi në tragjedinë e Gërdecit, duke drejtuar gishtin mbi personat përgjegjës, vihet re qartë se Prokuroria e Përgjithshme vijon të shfaqet e frikësuar, e pafuqishme dhe nën presion politik. Bilanci i tragjedisë së Gërdecit është një bilanc i denjë lufte. Për herë të parë në historinë e popujve të qytetëruar ndodh që nga papërgjegjshmëria qeverisëse, nga korrupsioni qeveritar, nga etja për t’u pasuruar në mënyrën më të paturpshme antiligjore, qeveria bombardon me predha qytetarët e saj. Fakti që kryeministri Berisha dhe qeveria e tij nuk pranojnë të marrin asnjë përgjegjësi për humbjen e dhjetëra jetë njerëzish në Gërdec dhe qindra të tjerëve të plagosur dhe të traumatizuar, dhe pasi dhjetëra fëmijë kanë mbetur jetimë, qindra shtëpi dhe biznese janë shkatërruar, tashmë kjo nuk përbën ndonjë çudi, pasi jemi dëshmitarë se çdo ditë përballemi me një qeverisje arrogante, injorante dhe të korruptuar në çdo qelizë të saj. Ajo që të trondit është fakti se pjesë e përpjekjeve për ta zhytur tragjedinë e Gërdecit në llumin e harresës, siç është bërë me shumë tragjedi të tjera që kanë ndodhur në këtë vend, është bërë edhe opozita..., më saktë partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste. Përpjekjet e deputetit Petro Koçi e Besnik Dervishi për të ironizuar materialin e sjellë nga Prokuroria për heqjen e imunitetit të deputetit Mediu për tragjedinë e Gërdecit jo vetëm janë të padenja për një politikan, por dhe mjaft cinike për ato familje që kanë humbur gjithçka nga ajo tragjedi e tmerrshme. Por, ta kanalizosh opozitën, ose më saktë PS-në te këta dy persona, nuk do t’ia vlente të shkruaje asnjë rresht. Çështja është më e rëndë se kaq. Ajo që vihet re është se misioni i një pjese të opozitës në këtë vend është tejet i kompromentuar. Opozita nuk po arrin të transmetojë jo vetëm zërin e pakënaqësisë së qindra mijëra qytetarëve për mënyrën sesi po qeverisen, por ajo po nuk arrin të transmetojë as revoltën e mijëra banorëve të Gërdecit që kanë humbur gjithçka. Asnjë politikë e re nuk mund të ndërtohet duke anashkaluar dramat e qytetarëve. Politika e re fillon duke vënë në qendër problemet e shtetasve të këtij vendi dhe jo pse kryetari i PS-së vihet vetë në qendër të kësaj politike. Gërdeci kërkon shpagim ligjor. Gërdeci nuk është vetëm një problem i Drejtësisë, por edhe i Kuvendit, Qeverisë, Presidentit dhe i të gjitha forcave politike. Në radhë të parë zbardhja e tragjedisë së Gërdecit duhet bërë me çdo kusht, që t’u jepet fund njëherë e mirë qeverisjeve të papërgjegjshme në këtë vend, që asnjë politikan i lartë apo njeri me mandat të mos mund të jetë mbi ligjin dhe në shpërfillje të plotë të tij, që asnjë zyrtar i këtij shteti, gjeneral apo kushdo qoftë, në emër të lakmisë së tij për t’u pasuruar të shkatërrojë jetën e mijëra qytetarëve të pafajshëm. Të jesh në opozitë është mision mjaft i vështirë. Me sa duket PS nuk është e përgatitur ende për këtë mision. Opozita nuk është vetëm luksi i marrëveshjeve me pushtetin. Nëse misioni i PS-së është reduktuar tani vetëm se ka aftësinë të bëjë “artin e marrëveshjeve” me pushtetin që sundon, por nuk qeveris, për fat të keq kemi të bëjmë me një “opozitë të tredhur”. Ajo po shërben vetëm si solucion për të hequr njollat e gjakut të Gërdecit, të cilat kanë spërkatur qeverisjen. Kryefjala e politikës së re nis me zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, në mënyrë që vendi të fillojë të qeveriset nga ligji dhe jo nga fisi.
16 Maj 2008