LSI zhvillon forumin “Sfidat e familjes shqiptare”
Me rastin e 15 majit, Ditës së Familjes, Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi dje një Forum “Mbi sfidat e familjes shqiptare”. Në këtë aktivitet, që u drejtua nga nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, merrte pjesë edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, si dhe kishte të pranishëm disa figura të shquara dhe intelektualë. Aktiviteti ishte konceptuar në formën e një forumi të lirë diskutimi, për të përcaktuar drejtimet dhe politikat që duhen ndërmarrë për mbrojtjen, forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të familjes shqiptare.
Në fjalën e tij në këtë forum, lideri i LSI-së, Meta, u përqendrua në rastet e krimeve dhe dhunës brenda familjes, të cilat kohët e fundit kanë qenë në rritje të vazhdueshme. Meta theksoi se duhet të forcojmë familjen përmes politikave konkrete që duhet të ndiqen. “Është për të ardhur keq që numri i rasteve të krimeve brenda familjes, i dhunës brenda familjes është rritur në mënyrë kritike dhe kjo vjen për arsye, në radhë të parë, të rritjes së varfërisë dhe të depresionit të një pjese të mirë të shoqërisë sonë, një depresion i cili më pas shkarkohet në familje dhe në zemër të saj. Është për të ardhur keq gjithashtu që prishja e familjes në jo pak raste konsiderohet edhe si një lloj moderniteti, kur në fakt duhet të jetë forcimi i saj, i vlerave që e mbajnë të bashkuar një familje, që duhet të jenë shtyllat e referimit tonë moral dhe social”, - u shpreh Meta.
16 Maj 2008