Kryeministri: Qeveria ime do punojë ngushtë me SHBA-të
Kryeministri Berisha takon bashkëpunëtorët e Presidentit të SHBA, Barak Obama. Samiti i Davosit është për kreun e qeverisë shqiptare një ogur i mirë për të përmirësuar akoma më tej miqësinë e Shqipërisë me Amerikën. Gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, Kryeministri Berisha mori pjesë dje pasdite në sesionin special me temë "Agjenda e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës". Në këtë sesion u trajtuan çështje si procesi zgjedhor në SHBA dhe me vëmendje të madhe u përcoll ky proces në të gjitha vendet e botës. Gjatë tij, u diskutua mbi lidershipin e ri të SHBA-ve dhe prioritetet e SHBA-ve për vitin 2009. Gjatë këtij sesioni, Kryeministri Berisha u takua me këshilltaren speciale të Presidentit Obama, Valerie Jarrett. Kryeministri Berisha e siguroi këshilltaren Jarrett se qeveria që ai kryeson është shumë e vendosur të punojë ngushtë me Presidentin Obama dhe administratën e tij për të çuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve. Jarrett pranoi me kënaqësi ftesën e Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë. Ajo bëri në këtë sesion një prezantim të programit të Presidentit Obama në lidhje me krizën ekonomike dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një ditë më parë, kreu i qeverisë takoi edhe Penny Pritzker, drejtoreshë ekzekutive e grupit PRITZKER REALTY GROUP L.L.C, një nga kompanitë më të mëdha të hotelerisë dhe turizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pritzker ka qenë gjithashtu ish-drejtoreshë e Përgjithshme e Financave në stafin elektoral të Presidentit të SHBA-ve, Barak Obama.