Belgjikë, 18 të vdekur nga përplasja e trenave
Belgjika ka përjetuar dje një nga incidentet më vdekjeprurës të tre dekadave të fundit shkaktuar nga përplasja e dy trenave të shpejtësisë së madhe. Të paktën 18 vetë u vranë, sipas shifrave zyrtare dhe bilanci i viktimave pritet të rritet. Mbi 100 persona të tjerë u plagosën kur dy trenat u përplasën në Belgjikë. Përplasja ndodhi në qytetin Halle në 8:30 të mëngjesit. Shkaku i aksidentit nuk dihet ende. Dy lokomotivat e përplasura u shkatërruan me pjesët e përparme të ngritura vertikalisht ndërsa vagonët u shpërndanë në zonë. Ende nuk dihet se me çfarë shpejtësie ishin duke udhëtuar trenat në kohën e përplasjes. Tre nga tetëmbëdhjetë viktimat janë gra. Sipas zëdhënëses së Qeverisë belge, shkaku i aksidentit u mendua fillimisht se ishte dëbora, por më pas u analizuar se dëbora nuk ishte në përmasa të pazakonta. Njerëzit ishin përplasur me anët e trenit fort në momentin e impaktit. U deshën më pas 30 minuta deri sa të mbërrinte ndihma e shpejtë. Të plagosurit u trajtuan në një qendër sportive pranë skenës së ngjarjes, në Halle. Ministri i Drejtësisë është i ngarkuar me drejtimin e hetimeve për incidentin e trenave. “Do të ketë një hetim të plotë, objektiv dhe të pavarur për të vendosur mbi shkaqet e vërteta të aksidentit. është shumë shpejt për të spekuluar mbi arsyet e vërteta të kësaj tragjedie të tmerrshme’, tha Mark Deshimaker, administrator i shoqërisë së transportit hekurudhor, Sncb, në Belgjikë. Sipas tij. “duhet të presim disa ditë, është shumë shpejt për të spekuluar mbi çdo lloj hipoteze. Sot është një ditë e trishtë dhe e errët për hekurudhat belge. I trembemi mundësisë se mund të ketë shumë më tepër viktima”, tha ai. Për sa i përket shkaqeve të aksidentit, hipoteza më e besueshme deri tani për zyrtarët është se, treni lokal që vinte nga Lovanio, nuk ka respektuar sinjalin “stop”. Për sa i përket hipotezave se dy trenistët mund të kenë pasur mosmarrëveshje gjuhësore njëlloj si në incidentin e marsit 2001, administratori i deleguar është përgjigjur se: “Siç kam thënë, do të ketë një hetim të pavarur dhe objektiv dhe për këtë duhet kohë”. Dilema që ngrihet është nëse ka një gabim njerëzor apo defekt teknik. Punonjësit e shërbimeve të shpëtimit thanë se janë dëmtuar dhe linjat e rrjetit elektrik.