Berat, 12 fshatra pesë ditë në errësirë, pa bukë e ilaçe
BERAT/ DILAVER XHELILI
Prej pesë ditësh, 12 fshatra të komunës Vërtop në Berat ndodhen të izoluar. Reshjet e dëborës si dhe shirat e rrëmbyeshëm të ditëve të fundit kanë shkaktuar shembjen masive të dherave në rrugën që lidh këto fshatra me qendrën e komunës dhe qytetin. Rrëshqitja e tokës ka shkaktuar edhe rrëzimin e shtyllave elektrike. Për pasojë, rreth 9 mijë banorë të kësaj zone janë të bllokuar, pa energji, madje edhe pa bukë. Gjatë këtyre ditëve, pesë fëmijë të sëmurë rëndë dhe me temperaturë kanë rrezikuar jetën, pasi mjetet e kanë të pamundur të kalojnë në rrugët që janë zënë nga dherat, madje vende-vende ato kanë pësuar plasaritje të rrezikshme. “Nga rrëshqitja e dherave në masive të mëdha janë dëmtuar 15 shtylla të tensionit të lartë, që shërbejnë për të furnizuar këtë zonë me energji elektrike. Jemi edhe pa bukë, pasi të gjitha furrat që na furnizonin nuk janë në gjendje pune për shkak të mungesës së energjisë”, u shpreh një banor i zonës. Në terr ndodhen edhe banesat e tjera të këtyre 12 fshatrave, duke e kthyer jetesën e tyre si në mesjetë. Banorët japin alarmin dhe kërkojnë ndihmën e shtetit, pasi komuna nuk ka mundësi financiare për t’i ndihmuar ata. Burime nga komuna bëjnë të ditur se edhe shkollat janë mbyllur, pasi rrugët janë të bllokuara dhe nxënësit e kanë të pamundur të kalojnë. Veç rrugëve të mbuluara nga dheu edhe lumenjtë e tejfryrë janë të rrezikshëm për t’u kaluar, pasi në shumë vende mungojnë urat mbi ta. Pesë fëmijë të sëmurë nga fshatrat Lybesh dhe Kapinovë janë transportuar me barela deri na rrugën kryesore, për t’i dërguar më tej drejt spitalit. Sipas banorëve, fshatrat Tomorr i Madh, Tomorri i Vogël, Lybesh, Kapinova, Zgërrbonja, Peshtan, Drenova etj, kanë mbetur pa bukë, pa ushqime, pa ilaçe dhe energji elektrike. Dëbora, rrëshqitja e dheut, mungesa e dritave, e shkollës si dhe mjaft elementëve të tjerë jetikë kanë bërë që vetë banorët të japin alarmin dhe të kërkojnë ndihmën e shtetit. “Gjendja në këtë komunë me 12 fshatra është mjaft e rënduar. Këtë vit na ka ardhur një fond shumë i cenuar, me 42 milionë lekë më pak, ndonëse kemi rreth 70 kilometra rrugë që kanë nevojë për ndërhyrje. Këto fshatra nuk kanë as bukë, as energji e as ilaçe për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve. Janë rreth 50 hektarë tokë që kanë rrëshqitur dhe kanë bllokuar rrugët e kësaj zone. Ndërsa 15 shtyllat e energjisë elektrike janë dëmtuar duke lënë gjithë zonën në terr”, u shpreh dje kryetari komunës Vërtop, Flamur Balliu.