E Shtunë, 31 Tetor 2026

E plagosura: Nuk e fal Mediun



Fatos Mahmutaj

Alketa Hazizaj, banore e Gërdecit, e plagosur në shpërthimin e 15 marsit 2008, refuzon të falë ministrin Fatmir Mediu në Gjykatën e Lartë. Paraditen e djeshme, përballë një kolegji penal prej pesë anëtarësh të kryesuar nga gjyqtari Andi çeliku dhe me anëtarë gjykatësit Ardian Nuni, Irma Bala, Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako, e dëmtuara-akuzuese nuk pranoi të hiqte dorë nga padia, duke pretenduar se shkaktari i plagosjes së rëndë të saj ishte pikërisht ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, aktualisht ministër i Mjedisit. Përballë pretendimeve të të dëmtuarës, dy avokatët mbrojtës të Mediut, Petrit Serjani dhe Ardian Visha, të pajisur me prokurë përfaqësimi nga klienti i tyre, i kërkuan Hazizit të hiqte dorë nga padia duke pohuar se ai nuk kishte lidhje me shpërthimin e Gërdecit, dhe kjo gjë ishte vërtetuar me një vendim të mëparshëm gjyqësor. Po kështu sipas avokatëve paditësja nuk kishte paraqitur asnjë provë për të vërtetuar lidhjen e Mediut me ngjarjen e rëndë të 15 marsit 2008 në Gërdec, si dhe me plagosjen e saj. Pasi dëgjoi pretendimet e të dy palëve, të cilat nuk arritën ta gjenin kompromisin e ofruar nga togat e zeza, gjykata u tërhoq për vendim, të cilin e shpalli në orën 11:40 të mesditës së djeshme. Trupi gjykues pohoi se do e shtynte seancën gjyqësore për t’u zhvilluar më datë një mars, duke i lënë kohë të mjaftueshme paditëses për të mbledhur provat kundër Mediut, të cilat do i paraqesë në proces. Pikërisht në bazë të këtyre provave gjykata do të vendosë nëse duhet t’i kërkojë apo jo Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Mediut. Vetëm pas kësaj gjykata mund ta marrë si të pandehur ministrin e Mjedisit, i cili veç Hazizajt do të përballet në njëjtin proces edhe me të miturin Roxher Durda, që në të njëjtën mënyrë u plagos në Gërdec ku humbi edhe nënën. Dy paditësit, Durda dhe Hazizaj iu drejtuan Gjykatës së Lartë, më datë 18 nëntor të vitit të kaluar me dy padi të ndryshme kundër ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, të cilin e akuzonin për “plagosje të rëndë nga pakujdesia”. Paditë u regjistruan të dyja në sekretarinë e Gjykatës dhe pas hedhjes së shortit u caktuan dy trupa gjykues për t’i shqyrtuar ato. Por, më datë 29 janar kur dy të dëmtuarit-akuzues u paraqitën para Gjykatës së Lartë, ajo konstatoi se paditë kishin të njëjtin objekt dhe të njëjtin të paditur. Pas kësaj u vendos që paditë të bashkoheshin në një dhe t’i shqyrtonte në këtë mënyrë një trup gjykues, duke bërë që të përfitohej ekonomizëm gjyqësor. Durda pati mundësinë të përballej vetë me Mediun seancën e mëparshme duke refuzuar ta falte atë, ndërsa Hazizaj dje paraqiti pretendimet para avokatëve të ministrit.

Mungojnë avokatët, shtyhet “Gërdeci”

TIRANE – Gjykata e Tiranës u detyrua të shtynte për të dytën herë radhazi dje seancën gjyqësore në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar si përgjegjës në shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Shkak ka qenë përsëri mungesa e dy prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Gjykata konstatoi mungesën e avokatëve Koçi Mato dhe Agim Hoxha, si edhe mospraninë e një prej të pandehurve që mbrohet pa avokat. Shtyrja e seancës dështoi edhe pyetjen e 6 dëshmitarëve të paraqitur dje në gjykatë. Në përfundim gjykata pezulloi afatet e paraburgimit, për të pandehurit e arrestuar. Një seancë më parë, avokatët e dosjes “Gërdeci” pretenduan para gjykatës se e kishin të pamundur ta ndiqnin zhvillimin e gjykimit dy herë në javë. a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›