E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen fshatrat në Gjirokastër e Korçë



GJIROKASTER/KORçE - Tre komuna në Gjirokastër vazhdojnë të jenë të bllokuara nga dëbora dhe shkarja e dheut, ndërsa situata nuk po gjen zgjidhje. Probleme janë hasur edhe në qarkullimin e mjeteve, në superstradën Gjirokastër-Tepelenë, ku në kilometrin e 18-të, shkarja e dheut ka bllokuar përkohësisht aksin. Për 60 minuta në orët e mbrëmjes së djeshme, vargu i automjeteve në të dy krahët e rrugës ka qenë 2 km. Në komunën e Pogonit dhe atë të Zagorisë, lëvizja e mjeteve kryhet me zinxhirë pasi dëbora arrin në 30 cm. Falë ndërhyrjes së policisë u evitua edhe një tragjedi, ku 14 persona rrezikuan nga vërshimi i Drinos pasi autobusi u bllokua në aksin që kalon në luginën e lumit gjatë një vale uji, duke zënë në befasi drejtuesin e mjetit. Situatë e rënduar nga moti i keq është edhe në Korçë. Dëbora ka bllokuar 12 fshatra të thella si dhe i ka lënë ato pa drita. Të bllokuara janë rrugët që të çojnë në komunat Vithkuq, Lekas, Liqenas, Voskopojë, si dhe për në fshatin Dardhë. Në të njëjtën gjendje janë dhe fshatrat e komunave çlirim, Novoselë, Barmash e Mollas në rrethin e Kolonjës. p.n/g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›