Greva, radhë 3 km në Kapshticë
KORçE - Rikthehen në Kapshticë radhët kilometrike. Qindra mjete të vogla kanë qëndruar për disa orë në radhë, në pamundësi për të kryer procedurat e kalimit drejt shtetit grek. Një ditë para fillimit të grevës së paralajmëruar nga doganat greke dhe punonjësit e administratës për pagat në shtetin fqinj, radhët kanë arritur në 3 kilometra në vendkalimin kufitar të Kapshticës. Kjo pasi për tre ditë rresht në këtë vendkalim do të ndërpriten të gjitha procedurat. Mjete të shumta janë dyndur gjatë ditës së djeshme, një ditë para nisjes zyrtare të grevës greke. Situata në kufi është përkeqësuar dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të disiplinuar mjetet. Puna në doganën greke ka qenë me ritme të ulëta, edhe për pasojë të festës fetare të fillimit të kreshmës ortodokse për Pashkët. g.a