E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi i Greqisë, BE e pavendosur për ndërhyrje të përbashkët



“Eurozona është e gatshme për të ofruar mbështetje të koordinuar dhe të përcaktuar për Greqinë nëse është e nevojshme”, tha dje kryetari i Eurogroupit prej 16 ministrave të Financave të eurozonës, Jean-Claude Juncker. Duke i bërë jehonë thirrjes së krerëve të qeverive të euro-zonës të enjten e kaluar, Junker tha se 16-vendet janë të përgatitura për të mbështetur Greqinë me qëllim për të ruajtur stabilitetin në zonën e euros. I pyetur nëse Luksemburgu është i përgatitur të ofrojë ndihmë dypalëshe në Greqi, dhe ai tha “Po”. Junker tha se “Nëse Greqia nuk do të japë shenja se është në rrugë të mbarë në muajin mars, atëherë ne do të kërkojmë masa shtesë”. Përkundër tij, Ministri finlandez i Financave tha se “Greqia e goditur nga borxhet duhet të sigurojë paratë që i duhen nga tregu dhe jo të presë ndihmë kolektive nga Bashkimi Evropian”. Ministri finlandez Jyrki Katainen tha se “I vetmi vend që mund të ndihmojë Greqinë është Greqia vetë”. Ai shtoi për “Reuters”, se nëse disa vende të BE-së mund të ndihmojnë Greqinë, kjo do të jetë bilaterale dhe nuk duhet të përfshijë BE-në si një e tërë. Por duke pranuar situatën e ashpër ekonomike të vendit të tij, ministri grek i financave, Jorgo Papakonstantinu tha të hënën se Greqia po përjeton një rrëmujë “të tmerrshme”, por qeveria e tij ka mbështetjen e publikut për të nxitur paketën e ashpër të masave të kursimit. “Kredibiliteti është diçka që humbet shumë shpejt, por rimerret shumë ngadalë”, tha Papakonstantinu në një takim të politikbërësve evropianë. “Qeveria e mëparshme arriti në një kohë shumë të shkurtër t’i bënte gjërat shumë keq”, tha ai duke shtuar se qeveria e re është tani “duke filluar ndryshimin titanik të kursit”. Ndërsa Jean-Claude Trichet, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, i mbrojti masat e marra nga qeveritë e euro-zonës për të çliruar presionin mbi Greqinë, duke thënë se nuk kishte asnjë dyshim për angazhimin e qeverive të Kontinentit për të ndihmuar këtë vend. “Kur Presidenti Sarkozi, zonja Merkel, Silvio Berluskoni në Itali dhe Presidenti Zapatero në Spanjë, në cilësinë e tij si president i Bashkimit Evropian, nënshkruan një dokument të njëjtë, kjo është serioze”, tha Trichet tha në një intervistë në Radio Televizionin LCI të Francës, duke iu referuar komunikatës së lëshuar të enjten e kaluar në Bruksel, në të cilin udhëheqësit evropianë u zotuan për të mbështetur Greqinë. Z. Trichet gjithashtu theksoi se BQE, e cila ka përgjegjësinë për ruajtjen e vlerës së euros, po punon me Komisionin Evropian për të siguruar që Greqia po i zbaton masat për të cilat ka rënë dakord, për të kthyer financat e saj në bazë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›