E Diel, 1 Nëntor 2026

Belgjikë, kapet i forti i Vlorës në ‘97

• Katër të shumëkërkuar të dënuar në mungesë, kanë përfunduar me pranga në qeli.

Fatos Mahmutaj

 Policia e Shtetit pohon se zyra e Interpol Tiranës është njoftuar dje për prangosjen në Belgjikë të të riut Dritan Xhelitaj, anëtarin e bandës së Xhelitajve, organizatë kriminale që ka kryer aktivitetin në këtë qytet gjatë vitit 1997. Si pasojë e përplasjes me dy bandat e tjera rivale, atë të Çoles që drejtohej nga Zani dhe atë të Gaxhait, bandës së Xhelitajve iu shkaktuan shumë humbje dhe për pak kohë u shkatërrua thuajse tërësisht. Ndërkohë 33-vjeçari Xhelitaj rezulton se është dënuar me 18 vjet burg më 19 maj 2003 nga Gjykata e Apelit e kryeqytetit, dënim të cilin ia kishte dhënë më parë Gjykata e Tiranës, ku u transferua çështja për arsye sigurie. Sipas gjykatës, Dritan Xhelitaj është gjetur fajtor së bashku me vëllanë e tij Ilir Xhelitaj, të kenë qëlluar me breshëri “Kallashnikovi” më 1 janar 1998 ndaj policëve që po hynin në banesën e tyre në lagjen “Pavarësia” në Vlorë për të bërë një kontroll. Nga plumbat janë plagosur efektivi i Policisë Kriminale, Alket Muça dhe kreu i Policisë Kriminale të qytetit bregdetar, Piro Ymeri. Ky i fundit u desh të dërgohej në Itali për t’u kuruar, që t’i shpëtonte vdekjes.
Arrestimi
Dritan Xhelitaj, 33 vjeç, u prangos mesditën e djeshme nga autoritetet policore belge, të cilat menjëherë njoftuan kolegët shqiptarë, në mënyrë që të merren masa për ekstradimin e tij. Po dje burime nga Interpol Tirana pohuan se kanë dërguar drejt Brukselit foto të të arrestuarit Xhelitaj dhe dokumente me shenja të tjera të tij, për të bërë të mundur identifikimin. Pastaj në një moment të dytë do të dërgohet zyrtarisht dosja e plotë me të gjithë dokumentet e duhura për ekstradimin e tij në Shqipëri, për të vuajtur dënimin. Pritet që paraditen e sotme Xhelitaj të nxirret para gjykatës, ku do i komunikohet masa e sigurisë 40 ditë arrest, kohë kjo e mjaftueshme për të mbërritur dokumentacioni i duhur nga Tirana për ekstradimin  tij.
Të kërkuarit
Po dje policia pohoi se në Itali ishte arrestuar 51-vjeçarja Lena Gjoni, nga Shënkolli i Lezhës. Ndaj saj Gjykata e Lezhës ka firmosur në mungesë një urdhër-arresti ndërkombëtar më datë 7 gusht 2007. Sipas gjykatës, më 11 qershor 1997, në shtratin e lumit Mat në fshatin Shënkoll është gjetur kufoma e Marash Gjonit, i cili ishte qëlluar me armë zjarri. Pasi është bërë dokumentimi ligjor i ngjarjes nga policia, rezulton që krimi të jetë kryer nga Lena Gjoni, e cila e ka vrarë për motive të dobëta. Ndërkohë në Milano është arrestuar 44-vjeçari fierak Petrit Osmëni, i dënuar nga Gjykata e Fierit më 29 tetor 2003, me 9 vjet burg, për “kryerje marrëdhëniesh seksuale me dhunë me të mitura më shumë se një herë”. Vendimi ka marrë formë të prerë nga Apeli Vlorë më 2 prill 2004. Sipas këtij vendimi, më 7 qershor 2002, Osmëni duke udhëtuar me mjetin e tij tip BMW, ka shfrytëzuar miqësinë me të miturën M.R., duke e ftuar ta përcjellë deri në shtëpi. Në ecje e sipër ka ndryshuar drejtim duke e çuar në një hotel, ku në përdorimin e forcës ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Ndërsa autoritetet policore greke njoftuan dje se kanë vënë në pranga 46-vjeçarin korçar Agim Xhambazi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Krimet e Rënda, pasi akuzohet të ketë detyruar me dhunë bashkëshorten e tij, Lindita Xhambazi dhe fëmijët e tyre, të dalin dhe të lypin rrugëve të Athinës për 7 vjet, ndërkohë ky administronte të ardhurat.

Të arrestuarit

Dritan Xhelitaj Belgjikë

Lena Gjoni Itali

Petrit Osmëni Itali

Agim Xhambazi Greqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›