E Diel, 1 Nëntor 2026

Disqet porno, Gjykata: Të kthehet në punë ish-profesori i fizikës

• TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi të rikthente në punë profesorin e fizikës, Artan Shyqja, i pushuar nga detyra një vit më parë, pas akuzës së prindërve të disa nxënësve të tij për shpërndarje materialesh pornografike.

Gjykata, pasi shqyrtoi për disa muaj me radhë padinë e tij ndaj Drejtorisë Arsimore, vendosi dje ta pranonte atë, duke urdhëruar rikthimin e tij në vendin e mëparshëm të punës. Ngjarja për të cilën Shyqja u mor nën përgjegjësi penale ndodhi në prill të vitit të kaluar, kur dy prindër, fëmijët e të cilëve kryenin kurse private me Shyqen në lëndën e fizikës, denoncuan në polici se profesori u kishte shituar atyre disqe me materiale pornografike. Pas kësaj Prokuroria nisi një çështje penale ndaj tij, por pas këqyrjes së diskut rezultoi se në të kishte vetëm ushtrime të lëndës së fizikës dhe disa video me humor të marra nga interneti. Vetë profesori 30-vjeçar pohoi se videot i kishte vendosur midis ushtrimeve të fizikës, në mënyrë që nxënësit të çlodheshin pas lodhjes dhe stresit që u shkaktonte zgjidhja e detyrave të vështira. E ndodhur përballë këtij fakti, Prokuroria e kryeqytetit pushoi akuzën ndaj profesorit, ndërsa ai iu drejtua Drejtorisë Arsimore për ta rikthyer në punë. Refuzimi i kërkesës së tij nga krerët e arsimit, u bë shkak që çështja të dërgohej në gjykatë. Para gjyqtarit të çështjes kërkuesi Shyqja argumentoi se ishte pushuar padrejtësisht nga puna dhe, se Drejtoria Arsimore e kryeqytetit nuk kishte pranuar ta rikthente në punë, edhe pasi ky i kishte vënë në dispozicion vendimin e pushimit të akuzës nga Prokuroria. Për më tepër në gjykatë kërkuesi paraqiti edhe diskun e pretenduar nga prindërit e nxënësve të tij se përmbante materiale pornografike. Ky disk pasi u administrua nga gjykata në cilësinë e provës, u shqyrtua në një seancë gjyqësore dhe në të nuk u vërejt asnjë material pornografik i pretenduar nga kallëzuesit e tij, mbi të cilin drejtoria e shkollës dhe ajo arsimore e pushuan profesorin nga detyra.                    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›