E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: “Topalli, udhëtime turistike me taksat e shqiptarëve”

Autori i Lajmit: Red.

Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, reagoi dje në lidhje me moszhvillimin e seancës së radhës parlamentare. Sipas tij, pas 17 vjetësh pluralizëm dhe demokraci në Shqipëri, është hera e parë që Kuvendi i Shqipërisë mbyll dyert dhe nuk zhvillon seancën plenare të radhës për shkak se Kryetarja e Kuvendit dhe 2 nënkryetarët ndodhen jashtë shtetit. Ai tha se të gjithë drejtuesit e shtetit, duke filluar me Presidentin, Kryeministrin dhe një radhë ministrash ndodhen të gjithë jashtë vendit. Por deputeti socialist akuzoi më tej kryeparlamentaren Topalli se po shpenzon nga taksat e shqiptarëve duke bërë udhëtime gjoja diplomatike. “Drejtuesja e seancave të Parlamentit po demonstron një etje të shfrenuar për udhëtime politiko-diplomatike-turistike, duke arritur që brenda 2 vitesh të realizojë rreth 400 mijë kilometra fluturim rreth e qark planetit me paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë, një rast unikal, i denjë për në Giness”, - tha ai. Bello pohoi se ajo po abuzon me detyrën ndërkohë që do të manipulojë dhe median mbi ato që ai i quajti gjoja suksese në drejtim të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Deputeti i PS-së pohoi se veprimet aspak transparente të nënkryetares së Partisë Demokratike zbulojnë qartë në sytë e shqiptarëve se e ashtuquajtura “Qeveri e dietës”, është kthyer sot në “Qeverinë Turistike”, që bën qejf dhe sheh botë me sy me paratë e shqiptarëve të vobektë. Sipas tij, Topalli i ka përqendruar të gjitha fondet për udhëtime e dieta në duart e saj, duke denigruar dhe bllokuar edhe ndonjë vizitë pune të komisioneve parlamentare, sidomos të Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit, i cili në 2 vjet nuk ka realizuar asnjë vizitë dypalëshe. “Në një vend si Shqipëria, ku 20% e popullsisë jeton me 2 dollarë në ditë, ku njerëz të dëshpëruar preferojnë me mirë t i japin fund jetës se sa të dëgjojnë pallavrat dhe premtimet boshe të qeveritarëve mashtrues, ku 550 mijë vetë jetojnë nën minimumin e varfërisë dhe ku qarkullimi i lirë është një ëndërr për miliona dhe realitet vetëm për pushtetarët, të braktisësh vendin mesatarisht 2 ditë në javë gjoja për politikë, është cinizëm dhe abuzim i pashoq”, - tha ai. Bello pohoi se qeverisja sot karakterizohet nga abuzimi me detyrën, keqadministrimi i parave të taksapaguesve, premtimet mashtruese sa për të marrë votën, arroganca dhe korrupsioni.

Ky lajm është publikuar: 19/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›