E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: Deklarata e Presidentit ishte pro PD

10/06/2005  PS hedh poshtë pretendimet për qëndrimin e Moisiut për imunitetin e deputetëve

Thellohen divergjencat mes qeverisë dhe presidencës. Pas akuzave të dy ditëve më parë të kreut të shtetit, Alfred Moisiu, se zyrtarët e lartë nuk duhet të shfrytëzojnë postin që kanë për interesa politike, ka ardhur reagimi i ministrit të Shtetit, Marko Bello. Sipas tij në deklaratat e Moisiut vlerësohej publikisht platforma e Partisë Demokratike për luftën antikorrupsion, në një kohë që vendi është në fushatë elektorale. “Presidenti i Republikës nuk mund të bëhet palë me deklarimet e tij, aq më tepër në mes të fushatës elektorale. Presidenti duhet të respektojë Kushtetutën, e cila është e shprehur shumë qartë që imuniteti i një parlamentari nuk varet nga dëshira e tij, ai është parashikur si një element që të mos nëpërkëmbet një deputet”, tha Bello. Ministri i Shtetit ka reaguar dhe ndaj deklaratës së Moisiut për fondet publike të disa prej kandidatëve për deputetë. “Nuk jam dakord aspak me deklaratën e Presidentit, i cili edhe pse nuk ka pushtet aq të madh, përsëri është figurë shumë e rëndësishme, është kryetari i shtetit dhe ka tratativa kushtetuese dhe ligjore për të ndikuar që të mos ketë fenomene të tilla”, tha Bello. Në deklaratën e Moisut i bëhej thirrje të gjithë faktorit politik në Shqipëri që të ndahen interesat politike nga ato të biznesit, kjo sidomos në kohën e fushatës. Ndërsa Partia Demokratike e ka mbështetur deklaratën e Presidentit Moisiu të bërë një ditë më parë për përdorimin e posteve dhe të fondeve të buxhetit në fushatë elektorale në favor të individëve të ndryshëm, apo të një partie. Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë, Besnik Mustafaj, gjatë një prononcimi e ka konsideruar Presidentin e Republikës si një zëdhënës të një shqetësimi mbarëkombëtar. “Qoftë këta që përdorin mundësitë institucionale për veten e tyre, qoftë drejtorët më të lartë, të cilët kanë pasur rastin që të tregohen me gisht se i kanë kthyer institucionet e tyre në vatra të korrupsionit, tashmë kanë hyrë në fushatë për t'u zgjedhur deputet nën siglën e Partisë Socialiste. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës është bërë zëdhënës i një shqetësimi që kanë shqiptarët në përgjithësi, që ka opozita, që kanë dhe institucionet ndërkombëtare”, tha Mustafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›