Topi: Nuk e duam Shqipërinë Kazino
10/06/2005 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka replikuar dje me Kryeministrin Nano për çështjen e kazinove. Lideri demokrat, gjatë takimit të tij në Burrel, tha se shqiptarëve u duhen vendet e punës dhe jo bixhozi. “Punësimi juaj është përparësia jonë madhore, puna dhe liria janë thelbi i dinjitetit njerëzor. Shqiptarët kanë nevojë për punë dhe jo për bixhoz. Do të synojmë uljen e papunësisë, përgjysmimin e taksave, kreditimin, marrëveshjen me biznesin për të punësuar sa më shumë, zgjidhjen e problemit të ujit dhe dritave, do të investojmë në rrugë të reja”, tha Berisha. Lidhur me çështjen e kazinove ka reaguar dje dhe nënkryetari i PD-së, Bamir Topi, gjatë prezantimit në zonën 25 të Durrësit të kandidatit, Sami Gjergji. “Ju e patë Kryeministrin Nano, i cili dje në një takim me biznesin në vend që të jepte alterantiva dhe llogari për atë që i kanë bërë turizmit, në fakt është ndalur në kthimin e turizmit vetëm në vesin e tij, duke ndërtuar kazino. Ai ka dëshmuar kështu se nuk është gjë tjetër vetëm se një kryeministër kumari”, tha Topi. Vetëm një ditë më parë, Kryeministri Nano u shpreh se, në rast se duam të zhvillojmë turizmin në vend, atëherë zgjidhja më e mirë është ta shndërrojmë bregdetin në një model të tipit Las Vegas.