PD Sarandë akuzë për grisjen e posterave
10/06/2005 Kandidati i Partisë Demokratike në zonën 100, Grigor Pasko, ka reaguar dje ndaj dhunës së përdorur disa ditë më parë ndaj një prej anëtarëve të shtabit të tij elektoral. Me anë të një deklarate për shtyp, Pasko tha se i dënon akte të tilla, por nuk do t'i përgjigjet dhunës me dhunë. “Jam shumë i indinjuar nga dhuna e ushtruar ndaj anëtarit të kryesisë së Partisë Demokratike, dega Sarandë, Alqi Sterjo, nga njerëzit e zv.ministrit dhe kandidatit për deputet të PBDNJ, z.Thoma Miço, në prezencë dhe nxitje të tij. Që në hyrje të zonës 100, në Qafë Muzinë dhe deri në Konispol, shihen vetëm posterat e z.Thoma Miço dhe të Stefan Çipës, por jo posterat e Grigor Paskos, dhe këtë mund ta konstatoj çdo njeri që udhëton për në Sarandë. Megjithëse është bërë një fushatë e paprinciptë për grisjen e posterave të mia, unë nuk jam ankuar, sepse populli i zonës e bën vetë vlerësimin. Por nuk mund të lejoj që njerëzit e partisë sime, jo vetëm të rrihen në mënyrë barbare, por edhe të akuzohen për përdorim dhune”, tha Pasko. Kandidati i zonës 100 të Sarandës i ka kërkuar kryetarit të PBDNJ-së të distancohet nga akte të tilla dhune.