Javën e ardhshme debati televiziv Nano-Berisha
10/06/2005 Braçe e Baze në përfundim të negociatavePartia Socialiste ka rikonfirmuar gatishmërinë për organizimin e debatit të parë mes Nanos dhe Berishës brenda javës së ardhshme. Sipas zëdhënësit të fushatës elektorale të PS-së, Blendi Klosi, kreu i socialistëve i qëndron idesë së zhvillimit të dy debateve me kundërshtarin e tij politik. “PS kërkon që këto debate të jenë më shumë sesa një dhe minimalisht dy debate. Debatet duhet të zhvillohen sa më shpejt dhe për këtë ne propozojmë dhe javën tjetër për të zhvilluar debatin e parë midis dy liderëve dhe për t'i lënë më pas të gjithë votuesit që të orientohen në bazë të mesazheve të qarta. Për ne, është shumë e habitshme sesi lideri i opozitës dhe PD-ja vazhdojnë të tërhiqen nga debatet me përfaqësuesit e Partisë Socialiste nëpër media. Ashtu siç jemi të pakënaqur nga mesazhet që vinë nga PD-ja. Për ne, është shumë e rëndësishme që të debatohet për politikën e jashtme”. Gjithashtu përfaqësuesit e PS-së synojnë që në objektin e debatit Nano-Berisha të diskutohet për të ardhmen e Shqipërisë në BE dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare ,siç është NATO. Sipas Klosit, “çdo gjë ka një limit dhe duhet që përfaqësuesit të përfundojnë sa më shpejtë negociatat dhe t'i kthehen sa më shpejt debatit, i cili duhet të jetë sa më transparent për publikun dhe votuesit shqiptar. Pyetja jonë është, pse z.Berisha vazhdon të hezitojë për një debat mbi politikën e jashtme”. Nga ana tjetër përfaqësuesit e pozitës janë shprehur se PD nuk tërhiqet në asnjë pikë, pasi ka strategjitë dhe platformat e saj, që do t'i vërë në zbatim me ardhjen në pushtet. Nga ana tjetër, dje deri në mbrëmje kanë vijuar bisedimet mes negociatorit të PD-së Mero Baze dhe atij të PS-së, Erion Braçe.