Fier, qytetarët në radhë për të marrë librezën shëndetësore
Të gjithë ata që nuk kanë libreza shëndetësore do të duhet të paguajnë në shtet më tepër se sa në klinikat private. Ka mjaftuar ky fakt që radhët e gjata të “pllakosin” në Institutin e Sigurimit për Kujdesin Shëndetësor të rajonit Fier. Banorëve të qytetit të Fierit dhe të fshatrave përreth u duhet të presin disa ditë nëpër radhë nëse duan të pajisen me një librezë shëndetësore. Deri para disa ditësh, vetëm një sportel ka qenë në funksion të shpërndarjes së librezave. Pas daljes së urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe rritja e tarifave për vizitat shëndetësore për të pasiguruarit, ka bërë që qytetarët të rendin për t’u pajisur me librezë shëndetësore. Situata e krijuar ka detyruar drejtuesit e ISKSH-së së Fierit të çelin dhe një sportel tjetër për banorët e qytezës së Patosit dhe të rrethinave të tij. Edhe pse ky sportel ka 10 ditë që është hapur, banorët e Patosit ende nuk e kanë ndier afrimin e tij. Ata udhëtojnë mbi 8 km për të siguruar librezën e shëndetit, e cila u garanton vizitën falas te mjeku i familjes apo ai specialist, si dhe marrjen e ilaçeve të rimbursueshme në farmaci. Por, në radhët pafund për libreza ka me dhjetëra banorë që vijnë nga zonat e thella. Ata ankohen se kanë ardhur për të disatën herë dhe nuk kanë mundur të marrin librezën. “Kam ardhur që nga Ada e Frakulles, rreth 30 km, por nuk e kam marrë librezën. E kam të disatën herë që vij. Kam nisur që para vitit të ri dhe ende nuk e kam marrë”, ka thënë Bafjtar Ramaj. Ndërkaq, Minush Metaj, banor i fshatit Selishtë të Cakranit, është shprehur se: “Jam i sëmurë kronik me diabet e tension dhe më duhet të duroj edhe radhët. Kam 10 ditë që vij dhe nuk arrij të marr librezën”. Ndësa Marsela Goxhaj, specialiste pranë ISKSH-së së Fierit, ka pranuar problemin, por shprehet: “Është e vërtetë që vetëm një sportel është në shërbim të banorëve të të gjithë rrethit të Fierit. Kemi me të vërtetë një fluks të madh kërkesash për libreza shëndetësore, por kjo nuk varet nga ne. Situata është bërë vërtet kaotike dhe kjo vetëm për problem teknike qe nuk varen nga ne”, ka thene specialistja Goxhaj. Me tej ajo ka shtuar se “Drejtoria e ISKSH-se nuk përballon dot këtë fluks të madh, por nuk ka fonde të mjaftueshme për zgjerim ambientesh”.
Korçë, katër raste të reja me virusin A/H1N1
Katër raste të reja të dyshuara si mbartëse të virusit AH1N1 i janë shtuar listës së pacientëve, që po trajtohen në spitalin e qytetit të Korçës me tamiflu. Një banor i qytetit të Leskovikut, një i moshuar nga Kolonja, një student nga qyteti i Korçës dhe një tjeër i moshuar nga fshati Barc, kanë qenë personat e fundit që dyshohet se janë prekur nga virusi i rrezikshëm. Rastet e dyshuara janë paraqitur gjatë 24 orëve të fundit në repartin infektiv dhe bluzat e bardha kanë nisur menjëherë trajtimin me tamiflu, krahas atij me antibiotikë. Shefja e shërbimit në Sanatoriumin e Korçës, Diana Alickolli, thotë se një grua 56-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë, ndërkohë që numri i personave të dyshuar se janë prekur nga virusi tashmë ka shkuar në 15, për të cilët priten përgjigjet zyrtare dhe konfirmimet nëpërmjet analizave laboratorike që janë dërguar në kryeqytet.
12 Janar 2010