Edvini e shpall gushtin si muaj sulmi për të nxirë imazhin e Shqipërisë para ndërkombëtarëve

Asambleja socialiste ka dëgjuar dje lavdërimet e Fatmir Xhafajt dhe të Taulant Ballës se kishin bërë çmos për të denigruar imazhin e vendit tek vëzhguesit ndërkombëtarë e kancelaritë e huaja, ndërkohë që Edvini u ka kërkuar që edhe gjatë gushtit ta vijojnë angazhimin, në mënyrë që të lehtësohet situata e tyre në kongresin e jashtazakonshëm
Edi Rama në funksion të mbijetimit në krye të PS-së, nuk kursen as tentativat për nxirjen e imazhit të vendit, duke shtrembëruar faktet për procesin zgjedhor dhe duke tentuar edhe manipulimin e ndërkombëtarëve, hartues të raportit përfundimtar të zgjedhjeve.
Një gjë të tillë, në formën e mburrjes, nuk e kanë fshehur në diskutimet e tyre në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Fatmir Xhafaj dhe Taulant Balla.
Dy deputetët socialistë, jo aq sa për të gënjyer e mashtruar pjesëmarrësit në Asamblenë Kombëtare të PS-së, se sa për të zbatuar një porosi të kryetarit në ikje të kësaj partie, kanë zbuluar në diskutimet e tyre përpjekjet dhe tentativat për të bindur hartuesit ndërkombëtarë të raportit përfundimtar të zgjedhjeve, për futjen në këtë raport të frazave “nxirëse” të këtij procesi.
Duke përmendur vend e pavend, se prej kohësh kanë marrë kontakte me ndërkombëtarët, të cilëve sipas Xhafajt dhe Ballës, ju kanë kërkuar atyre të shtojnë dozat e kritikave dhe nxirjes për procesin zgjedhor në raportin përfundimtar, dy klounët “misionarë” të Ramës, nuk kanë kursyer as ngërdheshjet në fjalimet e tyre, duke besuar se e bindën anëtarësinë e asamblesë, të votojnë pro kryetarit në ikje, me gënjeshtrat e sajuara nga njerëz me mendje perverse.
Pjesëmarrësit në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare nuk e kanë fshehur habinë për vetëkënaqësinë që nuk kishin mundur ta fshihnin Famtir Xhafaj dhe Taulant Balla, për “punën e madhe” që ata pretendonin se kanë bërë, për nxirjen e procesit zgjedhor, dhe ca më shumë, për nxirjen e imazhit të Shqipërisë, sipas pretendimeve të diskutantëve, edhe në sytë e ndërkombëtarëve.
...