E Diel, 1 Nëntor 2026

Intrigat në bunkerin me dyer të mbyllura s’e shpëtuan Ramën nga shkarkimi

Prej dje, Edi Rama nuk është më kryetar i Partisë Socialiste, por me ndihmën e Gramoz Ruçit dhe me terrorin e ushtruar tek anëtarët e Asamblesë së PS-së, ai tenton të mbretërojë në mënyrë të jashtëligjshme, bile edhe të rizgjidhet si Enveri, meqenëse e “kërkoka anëtarësia e thjeshtë”. Rikandidimi, një standard imoral që nuk është zbatuar as në Partinë e Punës, por që po imponohet prej trustit të korrupsionit e të lejeve të ndërtimit.

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste rrëzon rezolutën e propozuar nga anëtari i kryesisë Ben Blushi dhe miraton rezolutën e Edi Ramës, por këtij të fundit i ndërpritet mandati i kryetarit të PSSH-së. Pas një mbledhje të gjatë 8-orësh, Asambleja socialiste, në bunkerizim të plotë, pa asnjë lloj transparence apo edhe në terr të plotë informativ për opinionin publik, se çfarë po ndodh në vendin ku kuvendohet, nëpërmjet pazareve të pista, Edi Rama blen shumicën e anëtarëve dhe merr votat e mjaftueshme nga 135 anëtarët e asamblesë, për rezolutën e tij. Por vetëm për kaq, pasi asambleja e djeshme, në respekt të statutit të PSSH-së i ka ndërprerë mandatin Edi Ramës, paçka se tandemi i korrupsionit e ka shtyrë Gramoz Ruçin ta shpallë atë de facto kryetar të Partisë Socialiste, deri në mbajtjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm më 29 gusht, ku pritet të nisin procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri. Gramozi shkoi më tej në shkeljen e statutit të PS-së kur shpalli se Edvini ka ndërmend të rikandidojë. Ai sanksionoi kështu një tjetër standard të zi të PS-së, i cili s’qe regjistruar as në Partinë e Punës, teksa prodhohet blerja e mandatit të kryetarit, përmes një lëvizjeje që do të niska nga anëtarësia e që do të kërkoka rikthimin e Ramës në krye të PS-së. Është një situatë që u denoncua mbrëmë në darkë nga anëtari i kryesisë socialiste Ben Blushi, por që s’është ende e qartë a do të hasë pengesa nga opinioni publik, fort i interesuar për ngjarjet e brendshme në opozitën shqiptare, tashmë të përvijuar edhe për katër vitet e ardhshme.

Por duke iu kthyer kronikës së djeshme të Asamblesë Socialiste, në rezolutën e tij, Edi Rama, ndonëse ka shmangur piketat e bojkotit të parlamentit, kërkon një transparencë të plotë për zgjedhjet e 28 qershorit, duke i konsideruar rezultatet e tyre si të papranueshme për PS-në dhe se zgjedhjet e parakohshme, janë si një mundësi objektive për t’i dhënë sovranit vullnetin e pakontestueshëm politik dhe qeverinë që ai meriton.

Pas kësaj situate aspak të favorshme për Edvinin, emblema kryesore e tij mbetet kjo rezolutë e fituar dje me vota të blera nga anëtarët e asamblesë, por që nuk gëzon në mënyrë statusore postin e kryetarit të partisë më të madhe në opozitë.

Kësisoj, Edvini po faktohet si pretendenti politik i shanseve të humbura, duke humbur çdo sfidë elektorale dhe se nuk i ngelet rrugë tjetër veçse, pas bunkerizimit të djeshëm të asamblesë, të ribunkerizohet në Bashki.

Dy rezolutat

Partia Socialiste mblodhi dje, pa praninë e mediave, Asamblenë e saj Kombëtare, për daljen me një qëndrim zyrtar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, si dhe për  vendosjen e datës për thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm të partisë. Forumi më i lartë vendimmarrës mes dy Kongreseve, mori në analizë procesin e fundit zgjedhor, ku sipas rezultateve të KQZ-së partia më e madhe e së majtës do të vijojë të qëndrojë në opozitë edhe për katër vitet e ardhshme. Në asamblenë Kombëtare të socialistëve u përplasën dje dy rryma të forta, të cilat u formësuan menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, nga të cilat Partia Socialiste rezultoi parti humbëse në shkallë vendi. Prezantimi i rezolutës së Edi Ramës, para anëtarëve të asamblesë, ndeshi në reagimin e menjëhershëm të grupimit tjetër, të udhëhequr nga Ben Blushi, të cilët në rezolutën e tyre, kërkuan një analizë të thellë postzgjedhore dhe ngarkimin e përgjegjësive, tek shkaktarët e lënies së PS në opozitë edhe për katër vitet në vijim.

Ky grupim, i formalizuar tashmë si kundërshtar e Edi Ramës dhe klikës së tij dështake në selinë rozë, kërkon dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të PS dhe njëherazi moskandidimin në Kongresin e ardhshëm.

Rezoluta e kundërshtarëve të Ramës, ishte kundër mosnjohjes së zgjedhjeve si dhe e pjesëmarrjes së PS-së në kuvend.

Ndërkohë që rezoluta e Edi Ramës, intensifikon pretendimet për mosnjohjen e zgjedhjeve dhe kalimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, çka kjo e fundit duket totalisht absurde dhe e pamundur porsa kohë nuk ka asnjë arsye se pse të përsëriten zgjedhjet apo se pse të kalohet në zgjedhje të parakohshme.

Sipas raporteve dhe vlerësimeve të ndërkombëtarëve, zgjedhjet u fituan me meritë dhe në mënyrë demokratike, të civilizuar nga Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca e Ndryshimit”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›