Bello: Grup i pavarur hetimor për ngjarjen në Gërdec
Kjo çështje, sipas Bellos, nuk mund të lihet vetëm në dorë të dy prokurorëve
TIRANË- Ngjarja e Gërdecit mund të zbardhet vetëm nëpërmjet një hetimi profesional dhe të paanshëm. Nisur nga fakt i tillë, Partia Socialiste duke shprehur shqetësimin për ecurinë e ngadaltë të procesit të deritanishëm hetimor, kërkon krijimin e një grupi pune me prokurorë të njohur për profesionalizmin dhe paanshmërinë e tyre. Grupi parlamentar socialistë, me anë të deputetit Marko Bello, nisur edhe nga eksperienca e shkuar, ka hedhur poshtë propozimet për një hetim të ngjarjes, duke theksuar se vetëm një hetim i pavarur mund të nxjerrë në dritë të vërtetën për shkaqet dhe përgjegjësit që çuan në këtë katastrof. "Hedhim poshtë të gjitha propozimet për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, si një tentativë për të futur në kalendat greke këtë tragjedi. Propozoj ngritjen e një grupi të pavarur hetimor, ku të përfshihen edhe ekspertë të pavarur ndërkombëtar", - tha Bello. Gjithashtu socialistët kanë shfaqur dyshime në lidhje me gjithë procesin hetimor që ka shoqëruar tragjedinë e ndodhur pasditen e së shtunës në Gërdec. Sipas deputetit socialistë, Marko Bello është i papranueshëm fakti që për një çështje me një bilanc kaq tragjik njerëzor dhe material është shmangur nga hetimi Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke ia lënë zbardhjen e saj 2 prokurorëve nga Tirana dhe Durrësi, të sapoemëruar. "Nuk mundet një prokuror që heton kontrabandën e domateve, të hetojë një aferë kaq serioze, këtë tragjedi që ka në themel një krim makabër, i cili ka shkaktuar 19 të vrarë, qindra të plagosur, mijëra shtëpi të shkatërruara, mijëra njerëz të traumatizuar", - u shpreh Bello. Gjithashtu PS ka ftuar Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama që të heqë dorë nga përpjekjet për ta kanalizuar hetimin drejt akuzave për thyerje të rregullave në punë. Sipas Bellos, kjo çështje kërkon një hetim serioz pasi në të janë përfshirë afera të mëdha që kanë të bëjnë me trafikun e armëve."Alibia se bëhet fjalë për "thyerje të të rregullave në punë, me pasojë vdekjen", nuk mund të shmangë dot prokurorinë nga përgjegjësia. Janë dyshime serioze, se mafia ka shtrirë duart në mënyrë të frikshme deri në majat më të larta të shtetit", - tha Bello.