Topi-Berisha, negociata për drejtimin e ri të Mbrojtjes
Krahas Gërdecit, Berisha zhvillon takim me Topin dhe Topallin edhe për ministrin e ri TIRANË- Kryeministri Sali Berisha nuk ka pritur gjatë për të nisur negociatat në gjetje të emrit të ri të ministrit të Mbrojtjes për shkak të dorëheqjes nga ky post të Fatmir Mediut. Një ditë pas dorëheqjes së parevokueshme të Mediut dhe pranimit të saj, kreu i ekzekutivit është takuar dje në takime të veçanta me Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila është dhe nënkryetare e PD-së. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta pranë Kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilave, Berisha fillimisht është takuar me kryetaren e Kuvendit dhe më pas me Presidentin Topi. Takimi me këtë të fundit është zhvilluar në Presidencë dhe për më shumë se 45 minuta, Berisha dhe Topi kanë biseduar mes tyre kokë më kokë. Krahas gjendjes së rëndë në fshatin Gerdec dhe masat që duhen marrë, burime brenda kryeministrisë pohojnë se, në takimin me Presidentin Topi është diskutuar edhe çështjen e pasardhësit të Mediut. Burimet citojnë se gjatë takimit, Berisha dhe Topi nuk janë ndalur në emra konkretë (edhe pse nuk përjashtohet si mundësi), por kanë diskutuar lidhur me variantet e mundshme për gjetjen e kreut të ri të ministrisë së Mbrojtjes shqiptare. Sipas burimeve, tre kanë qenë variantet kryesore që janë diskutuar mes Topit dhe Berishës. I pari variant ka qenë që ministër i ri të zgjidhet një njeri që të ketë lidhje diplomatike me NATO-n; varianti i dytë që të zgjidhet një specialist i fushës së mbrojtjes dhe varianti i tretë që në krye të dikasterit të mbrojtjes të vihet një deputet i PD që të jetë njohës i fushës së mbrojtjes. Njëkohësisht nuk përjashtohet edhe pista tjetër që të ketë zhvendosje brenda qeverisë. Pra në krye të Ministrisë së Mbrojtjes të vijë një tjetër ministër dhe vendi i këtij të fundit të lihet për republikanet. Burimet bëjnë të ditur se, çështja e ministrit të ri të Mbrojtjes është diskutuar edhe në takimin që Berisha ka zhvilluar me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ku sërish diskutimi është fokusuar në mënyrat se si mund të zgjidhet situata e krijuar, duke pasur parasysh rëndësinë dhe delikatesën e saj, pasi ndodhemi rreth 20 ditë larg nga samiti i Bukureshtit, ku vendi ynë pret të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Fatmir Mediu njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i ministrit të Mbrojtjes ditën e hënë, vetëm dy ditë pasi kishin ndodhur shpërthimet e municioneve në Gërdec, të cilat shkaktuan tragjedinë e rëndë. Në fjalimin e tij, Mediu ka përjashtuar përgjegjësitë e tij personale si ministër në ndodhjen e kësaj tragjedie dhe tha se, dorëheqjen e jepte për shkak të përgjegjësisë politike dhe morale.