Bello: Islami dhe Harasani të mos përjashtohen nga PS-ja
Deputeti i PS-së, Marko Bello, shprehet në një intervistë për gazetën “Mapo” se kursi i ri politik i shpallur nga Rama është dhe kursi që kanë kërkuar ndërkombëtarët dhe se për këtë ai ka mbështetjen e gjithë partisë. Bello shtoi se PS-ja do të kërkojë dhe zgjedhje të parakohshme, por njëkohësisht do të përgatitet edhe për një alternativë të plotë qeverisëse.
Intervistoi Fejzi Braushi
Zoti Bello, të hënën starton sesioni i ri parlamentar. Do jetë pjesë në këtë seancë dhe në këtë sesion parlamentar grupi parlamentar socialist?
Sigurisht, tashmë është marrë vendimi që ne do të jemi në seancën e vjeshtës, duke i dhënë fund kështu bojkotit të përkohshëm të Parlamentit. Dihet që ky bojkot u zgjat pas zgjedhjeve për shkak të asaj që ndodhi në Tiranë me vjedhjen e votës që iu bë kryetarit të PS-së, i cili fitoi me 10 vota dhe që çdo gjë u përmbys më pas nga KQZ dhe Kolegji, çka u reflektua dhe në raportin e fundit të ODIHR, i cili në mënyrë ashiqare tregon se Tirana ishte një tjetër provë sesi në Shqipëri nuk bëhen zgjedhjet sipas standardeve. Kjo ka qenë arsyeja që grupi parlamentar mbajti këtë qëndrim ekstrem, megjithëse dëshira jonë ka qenë që të mos i bëjmë bisht detyrës sonë si deputetë. Në sesionin e ri opozita duhet të rimarrë ritmin e duhur që i duhet një opozite në Parlament, jo thjesht për të kritikuar qeverinë, jo thjesht për demaskuar grabitjen që qeveria po u bën pronave publike, krizës së madhe në të cilën ndodhet vendi, papunësisë së lartë, korrupsionit galopant, krimit të organizuar, një sërë problemesh që kanë të bëjnë me aksidentet rrugore, me humbjen e jetëve të njerëzve, me djegiet e territorit, çka tregon se kjo qeveri është e paaftë, por ne duhet të përgatisim gradualisht dhe alternativën tonë për t’i treguar qytetarëve se ne nuk jemi thejsht për të demaskuar, por edhe për të ndërtuar, jo për të shkatërruar, por për të ndërtuar një alternativë, si e vetmja mënyrë për t’i rikthyer shpresën shqiptarëve.
Ia arriti bojkoti qëllimit të tij?
Bojkoti është një masë ekstreme, demokratike, por ekstreme. Dhe unë personalisht jam kundër bojkotit, megjithatë ai mund të justifikohet në momente të caktuara siç ishte dhe rasti në fjalë. Bojkoti ka pjesën e mirë, sepse rrit presionin ndaj mazhorancës, por nga ana tjetër lë zbuluar pjesëmarrjen e opozitës në Parlament. Në një demokraci parlamentare roli i Parlamentit është i pazëvendësushëm dhe në të roli i opozitës është po ashtu i pazëvendësueshëm. Shpresoj që kohën e humbur ta rikuperojmë sa më shpejt në mënyrë që shqiptarët të shikojnë se ka dhe një alternativë.
Rikthimi në Kuvend do të sjellë dhe votimin nga ana e opozitës të ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash dhe që kanë të bëjnë me procesin integrues?
Duhet një gjykim i ftohtë për të ndarë “shapin nga sheqeri”, pra për të kuptuar se cilat ligje janë jo në interes të mazhorancës, por në interes të vendit dhe duhet një gjykim dhe një guxim i opozitës për të votuar ato ligje që i bëjnë mirë vendit dhe integrimit të tij, i bëjnë mirë në radhë të parë qytetarëve dhe duhen hedhur poshtë, ato ligje që thjesht risin koston e qytetarëve, të jetesës së tyre dhe shtojnë xhepat e pushtetarëve.
Pra mund të kemi dhe votime nga ana e opozitës për ligje të veçanta?
Akoma nuk është marrë një vendim në grupin parlamentar, por unë besoj se do duhet të mos i bëhet bisht edhe një situate që për hir të interesave të vendit të mund ta votojmë një ligj që i shërben vendit.
Opozita premtoi në mbylljen e sesionit të shkuar parlamentar se shtatori do të vinte me protesta. Ndërkohë që vetë kryetari Rama ka bërë të ditur se ato duhet t’i organizojnë qytetarët. Ndaj lind pyetja do kemi protesta të organizuara nga PS?
Edhe protesta është pjesë e luftës demokratike dhe askush nuk duhet t’i shmanget atyre, por unë them se duhet të heqim dorë nga protesta për protesta. Pra për çdo çështje që shqetëson qytetarët në radhë të parë, ata që nuk gjejnë drejtësi, nuk gjejnë punë, ne duhet të bëhemi zëri i tyre dhe duhet t’i mbështesim. Ndaj protestat janë të nevojshme dhe të domosdoshme, por duhet të theksoj, jo protesta për protesta, por protesta për çështje kardinale, për çështje madhore. Dhe pa diskutim opozita do të jetë pranë të gjitha shtresave në nevojë duke i inkurajuar ato që të kërkojnë me zë të lartë të drejtat e tyre si dhe për t’u kthyer shpresën atyre se ky vend edhe bëhet dhe do të bëhet. Në këtë kuadër ne duhet të demaskojmë të gjitha aferat korruptive të qeverisë, ta vëmë atë me shpatulla pas murit, por kjo me një plan të studiuar me argumente dhe jo thjesht me propagandë. Pra duhet të jetë një kombinim i luftës parlamentare me protesta.
PS gjatë kësaj vere ka hapur edhe debatin për ndryshimet kushtetuese. Sa të nevojshme i shihni ato në këtë moment?
Ka qenë një veprim i nxituar ai i ndryshimeve kushtetuese, çka është pranuar tashmë edhe nga kryetari i partisë. Pas një reflektimi është vlerësuar se duhen korrigjuar këto gabime dhe sidomos ndreqja e balancës mes pushteteve. Mesa duket Kushtetuta me këto ndryshimet e fundit ka zhbalancuar pushtetet, ka kufizuar pushtetin e Presidentit dhe ka fuqizuar shumë pushtetin e Kryeministrit. Kështu që do të jetë një përpjekje, ky nuk mund të jetë një kusht, sepse dihet që për të bërë ndryshime kushtetuese duhet të kesh edhe mazhorancën, por ne duhet të argumentojmë, të bindim dhe mazhorancën dhe faktorin ndërkombëtar që Shqipëria ka nevojë për riparim të Kushtetutës. Ndaj kjo do jetë një betejë e jona ligjore.
Megjithatë, PD e ka shprehur në mënyrë të qartë qëndrimin e saj refuzues ndaj këtyre ndryshimeve....
Pa diskutim që do vazhdohet të këmbëngulet, sepse ne jemi të bindur dhe nuk e shohim këtë si një kapriçio të opozitës, por e shohim si një reflektim që duhet ta ketë dhe mazhoranca, sepse edhe ajo është po aq përgjegjëse për këto ndryshime. Në politikë asnjëherë nuk thuhet kurrë, ndaj pas reagimit të parë, ndoshta zoti Berisha do ta shohë më vonë dhe do t’i bashkohet nismës së PS-së. Nuk ka vend për xhelozira se kush e ndërmori i pari nismën, e rëndësishme është që të reflektohet ndaj një gabimi që është bërë dhe më vjen mirë që ky reflektim i parë erdhi nga ana e opozitës.
Kryetari i PS-së ka prezantuar tashmë edhe nismën për ndërmarrjen e një kursi të ri politik. Çfarë do përmbajë ky kurs?
Sigurisht që ka një ndryshim. Do kalojmë nga një opozitë e ashpër në një opozitë më institucionale, më të fortë, më të logjikshme, më me argumente. Mua më vjen mirë që ky kurs është ai kurs që edhe partnerët tanë ndërkombëtarë e kanë kërkuar. Dhe sigurisht kryetari i partisë ka mbështetjen e partisë për këtë kurs, sepse të gjithë kemi nevojë të reflektojmë dhe të gjejmë rrugën më të mirë me sa më pak trauma për të sjellë opozitën në pushtet. Jo thjesht për të ndryshuar kuajt e pushtetit, por për të qeverisur ndryshe, për t’i dhënë shpresë qytetarëve. Prandaj mendoj se edhe PS ka nevojë të reflektojë dhe të përpunojë një strategji dhe program politik të qartë me tre-katër objektiva të cilat ajo duhet t’i realizojë brenda pjesës së mbetur të mandatit qeverisë. Sigurisht që ne do të kërkojmë dhe zgjedhje të parakohshme, por njëkohësisht do të përgatitemi edhe për një alternativë të plotë qeverisëse. Pra nuk na duhet thjesht një program qeverisës, por na duhet një program politik, kjo pasi programi qeverisës duhet kur ke pushtetin, ndërsa ai politik kur je në opozitë dhe për t’i treguar qytetarëve se cilat janë shinat ku do të mbështetet alternativa e opozitës.
Por në funksion të zgjedhjeve të 2013-s, përveç kursit të ri politik, për të ardhur në pushtet janë të rëndësishme dhe numrat. Në dy zgjedhjet e fundit kemi thuajse të njëjtën diferencë mes shumicës dhe opozitës. Ndaj a e shihni të nevojshme një hapje të PS-së për të afruar edhe partitë tjera dhe në veçanti LSI-në, e cila është një parti e majtë?
Sigurisht demokracia është numra patjetër, por është edhe frymë dhe kombinimi i numrave me frymën është çelësi i suksesit në demokraci. Ndaj ne do të shohim dhe mundësinë e zgjerimit të aleancave. Por siç dihet tashmë LSI sot është zhvendosur drejt qendrës së djathtës dhe ajo qeveris në koalicion me Sali Berishën. Megjithatë pa dashur të them më parë fjalën që mund të thuhet e fundit, pasi nuk jam unë ai që përcaktoj aleancat, por unë do të kontribuoj për një zgjerim të aleancave, sepse mesa duket na duhen dhe aleatë të tjerë për të siguruar fitoren në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë ne do të punojmë së pari me çdo qytetar dhe do të jemi me ta për t’i dhënë shpresë dhe për të dalë në zgjedhje dhe për të mbështetur opozitën. Siç dihet një numër i madh votash shkojnë tek parti jo parlamentare, ashtu siç ka një numër të madh njerëzish që nuk shkojnë fare të votojnë. Pra këto janë grupe ku mund të punohet fuqishëm për të prezantuar alternativën tonë dhe për t’i bërë ata që ta votojnë atë. Pra është dhe ky një burim i mirë për të zgjeruar mbështetjen. Por kjo varet edhe nga partia sesa e hapur dhe elastike do të jetë me qytetarët. Pra duhet një parti që të kombinojë shumë mirë strukturat me qenien e saj si parti elektorale. Ne duhet të ndryshojmë strategjinë dhe ta bëjmë partinë më elastike dhe më të hapur, pra partia duhet të jetë jo me struktura të ngurta, por të jetë e aftë që të thithë edhe votat e atyre qytetarëve që deri më tani s’kanë votuar për asnjë parti.
Në PS nuk mungojnë edhe zërat kundër mënyrës sesi drejton këtë forcë politike dhe opozitën, kryetari Edi Rama. Kam parasysh këtu zotin Islami dhe zotin Harasani, ndaj të cilëve është paralajmëruar dhe përjashtimi. Mendoni se do shkojë PS-ja në këtë masë ekstreme?
Një parti siç është PS, që është partia më e madhe në vend, sigurisht që ka dhe rryma dhe mendime të ndryshme, ku ka pasur mendime të kundërta dhe do të ketë. Për këtë jam i sigurt. E rëndësishme është që partia të jetë e tillë që të vlojë demokracia dhe nuk duhet ta humbim këtë aset që e kemi fituar në këto vite. Kjo më bën që të jem optimist që në partinë tonë nuk do ketë vend për përjashtime. Sigurisht që partia ka dhe rregulla dhe mendimet pasi debatohen merren vendime dhe ato duhet të respektohen. Kështu që unë mendoj dhe shpresoj që të mos ketë përjashtime në PS, por të gjithë të vijnë të kontribuojnë në fitoren e opozitës dhe të gjithë t’i drejtojnë shigjetat e tyre kundër mazhorancës.