Ristani: S’kam arsye të largohem, për lokalet fajin e kanë partitë
Ristani për formatimin: “KQZ-ja ka qenë e formatuar më parë me një formulë ku anëtarët e tij propozoheshin nga Presidenti i Republikës, nga KLD-ja dhe nga politika, pra një formulë mikse dhe ka qenë po kaq i sulmuar sa është edhe sot, kështu që nuk besoj se është formula e KQZ-së ajo që zgjidh problemin apo rrit besimin e palëve tek procesi”.
TIRANË “Diskutimet në KQZ ishin të natyrës politike dhe therëse, në disa raste me shkëmbim akuzash dhe sulmesh personale. Mbledhjet e KQZ-së shpesh u përdorën si betejë përplasjeje politike mes përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së. Për çështjet ku PS-ja dhe PD-ja kishin dallime, KQZ-ja votoi në mënyrë partiake çka e bëri të vështirë veprimin në mënyrë kolegjiale”. Ky është vetëm një nga paragrafet e cituara për KQZ-në në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, duke sugjeruar për pasojë edhe mundësinë e rikompozimit të këtij institucioni. Por ndryshe nga sa rekomandohet, kryetari aktual i KQZ-së, Arben Ristani, shprehet pozitivisht për punën e bërë nga institucioni që ai drejton, duke shtuar se do të donte të vijonte detyrën, që ai ka. “Personalisht mua më pëlqen puna që bëj dhe sigurisht do të preferoja që të kisha vazhdimësi në punën time, megjithatë kjo ka të bëjë me interesat e politikës në momentin e caktuar”, - tha dje Ristani. Ai theksoi se e keqja nuk qëndron tek riformatimi i KQZ-së, por tek vullneti i munguar i partive politike. “Nuk është e keqja tek formatimi i KQZ-së por e keqja është te rekomandimi numër një i OSBE/ODIHR-it, tek mungesa e vullnetit të mirë të partive politike”,- tha ai. Ristani vijoi më tej: “KQZ-ja ka qenë e formatuar më parë me një formulë ku anëtarët e tij propozoheshin nga Presidenti i Republikës, nga KLD-ja dhe nga politika, pra një formulë mikse dhe ka qenë po kaq i sulmuar sa është edhe sot, kështu që nuk besoj se është formula e KQZ-së ajo që zgjidh problemin apo rrit besimin e palëve tek procesi”. Ristani e ka një përgjigje edhe për vërejtjen kryesore të KQZ-së lidhur me procedurat që ajo ndoqi për Tiranën: “Raporti konstaton se me vendimmarrjen për Tiranën, KQZ-ja thelloi mosbesimin për paanshmërinë e tij. Kuptohet që është një konstatim që nuk do të doja të ishte. Ishim në kushtet kur kemi pasur një mungesë besimi të palëve ndaj njëra-tjetrës dhe ndaj procesit në tërësi dhe u duk sikur zgjidhja që ne i dhamë procesit në Tiranë, e thelloi edhe më tepër këtë mungesë besimi. Kjo në fakt është e dukshme sepse sigurisht njëra nga forcat politike garuese nuk e pranoi vendimin dhe reagoi ashtu siç reagoi. Por besoj që nga mënyra se si e kishin zënë brumin që në fillim partitë politike, nuk besoj se do të dilte një bukë më e mirë”. Për kryetarin e KQZ-së, në procesin për Tiranën ka vetëm keqardhje. “Na vjen keq për faktin që krijuam paqartësi në momentin e marrjes së vendimit për zgjidhjen e çështjes për Tiranën, një paqartësi që ekzistoi në fillimin e saj, por që është normale në mënyrën dhe kushtet në të cilat punoi KQZ-ja...Sigurisht që mund të kishim gjetur zgjidhje më të mira por bëmë më të mirën në kushtet që u ndodhëm”,- tha ai. Por a kishin standarde këto zgjedhje për kryetarin e KQZ-së?. “Cilat janë standardet? Standardet janë pikërisht këto, zgjedhje të njëkohshme në të gjithë vendin, zgjedhje të ndershme, të barabarta dhe në momentin që raporti, që në fjalinë e parë të tij thotë se zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente, pra të lira dhe të ndershme, praktikisht ka thënë se janë përmbushur standardet”, - u përgjigj Ristani.
N.P