E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet tabulati i votimit të ligjit për censusin

SHKRUAN: Fejzi Braushi 02-09-2011 09:50

Në dokumentin e publikuar nga Kuvendi vërehet se në sallë kanë qenë 73 deputetë të mazhorancës, prej të cilëve 71 kanë votuar pro dhe 2 përfaqësuesit e PDIU kanë abstenuar. Aleanca Kuq e Zi pretendon se dy deputetët, i ndjeri Gëzim Dibra dhe Lefter Maliqi nuk kanë qenë në sallë

Zbardhet tabulati i votimit të ndryshimeve në ligjin “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë”, ose siç njihet ndryshe Censusi. Gati dy muaj nga dita e votimit, Kuvendi, në zbatim të detyrimit ligjor, ka publikuar në faqen e tij zyrtare në internet pasqyrën e votimit të amendamenteve të bëra në ligjin bazë të regjistrimit të popullsisë dhe nëpërmjet të cilave synohet të bëhet regjistrimi i ri i popullsisë dhe banesave, por kësaj radhe duke marrë si elementë edhe përkatësinë fetare dhe atë kombëtare. Nëpërmjet kësaj pasqyre vërtetohet se në votim kanë marrë pjesë të gjithë përfaqësuesit e mazhorancës, me përjashtim të kryeministrit Sali Berisha, ndërkohë që Aleanca Kuq e Zi ka sjellë fakte se në atë seancë nuk kanë qenë të pranishëm fare dy deputetët demokrat Gëzim Dibra dhe Lefter Maliqi, i pari për shkak të sëmundjes prej së cilës gati një muaj më vonë u nda nga jeta dhe i dyti për shkak të një angazhimi jashtë shtetit.

Pasqyra

Thuajse dy muaj me vonesë, Kuvendi ka zbardhur dhe tabelën e votimit të ligjit të censusit. Siç vërehet, në të reflektohet vullneti i shprehur nga 73 deputetë të pranishëm në sallë. Ose më saktë nga të gjithë përfaqësuesit e shumicës, me përjashtim të kryeministrit Berisha që nuk ka qenë prezent në seancën e datës 7 korrik kur edhe u votuan këto ndryshime. Kështu në tabulatin e votimit pasqyrohet se nga 73 deputetë prezentë në sallë kanë votuar pro ndryshimeve vetëm 71 prej tyre, ndërkohë që dy deputetët çamë Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri kanë abstenuar. Por një gjë e tillë është kundërshtuar nga opozita dhe nga Aleanca Kuq e Zi, e cila lidhur me këtë votim ka pretenduar se në të nuk u arrit numri i nevojshëm i votave për t’i miratuar ndryshimet e paraqitura. Thënë më qartë, kjo organizatë patriotike ka pretenduar se në sallë nuk kanë qenë prezent 73 deputetë aq sa pasqyrohet në këtë tabulat, por vetëm 71 prej tyre. Një pretendim që Aleanca Kuq e ZI e mbështet në biletat e avionit që tregonin se deputetët Gëzim Dibra dhe Lefter Maliqi nuk ndodheshin jo vetëm në sallën e Kuvendit, por as në Shqipëri në ato momente. Kështu, bazuar në këto prova kjo organizatë ka protestuar në vazhdimësi ndaj këtij procesi votimi si të paligjshëm, duke akuzuar deputetët e mazhorancës se kanë votuar edhe për dy deputetët Dibra dhe Maliqi që nuk gjendeshin në sallë. Për këtë arsye kjo organizatë ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese që të shpallë të pavlefshme amendamentet në ligjin për regjistrimin e popullsisë, për shkak se nuk kanë marrë kuorumin e duhur prej 71 votash. E vetmja mënyrë tashmë për të vërtetuar këto pretendime është ballafaqimi i tabulatit të votimit me pamjet filmike të momentit të votimit.

Censusi

Votimi i ndryshimeve në ligjin për regjistrimin e popullsisë mori një rëndësi të madhe për sensibilitetin që shkaktoi përmbajtja e tyre nëpërmjet të cilave kërkohet të bëhet regjistrimi i ri i popullsisë edhe duke marrë të dhënat mbi etninë dhe fenë. Kjo shkaktoi një debat të madh që zgjati thuajse një vit, çka bëri që votimi i tyre të shtyhej disa herë. Megjithatë, menjëherë pas zgjedhjeve qeveria e solli në mënyrë përfundimtare projektligjin, duke ndryshuar kështu edhe termin nga regjistrim i popullsisë në census. Por ndryshe nga sa ishte planifikuar në fillim ndryshimet e miratuara në ligj nuk flisnin më fare për elementet e censusit, por vetëm përcaktonin rregulla sesi do të realizohej ai, ndërkohë që pyetësori do të përgatitej nga komisioni përkatës. Ndërkohë që gjatë diskutimeve në komision dhe në seancë u sanksionua dhe detyrimi që këto të dhëna që do të dalin nga ky census nuk do të përdoreshin si të dhëna zyrtare për listat e zgjedhjeve apo për përbërjen e popullsisisë. Ndërkohë që me ndërhyrjen e PDIU në seancë plenare u miratua dhe amendamenti i verifikimit të të dhënave që do të japin qytetarët dhe ndëshkimi i rasteve të pavërteta. Kjo solli më pas dhe reagimin e fortë të komunitetit grek të përfaqësuar nga PBDNJ, e cila kërkoi ndryshimin e kësaj pike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›