Shefja e INSTAT: Ja si do të kryejmë numërimin e popullsisë
Ines Nurja shpjegon në një intervistë për MAPO-n procedurat e regjistrimit të popullsisë, për të gjithë personat që banojnë në Shqipëri. Kërkesa e Muslimanëve dhe OMONIA-s? Ka kritere teknike për anketuesit, nuk do të shoqërohen nga askush në terren
Intervistoi: Habjon Hasani
Në kohën që debatet për regjistrimin e popullsisë ende nuk janë mbyllur, INSTAT është përfshirë “kokë e këmbë” në proces. Aktualisht po trajnohet mbikëqyrësit e procesit, për të kaluar më pas te 12 600 anketuesit që do të trokasin derë më derë për numërimin e popullatës. Në një intervistë për MAPO-n, drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it, Ines Nurja, shpjegon si do të kryhet regjistrimi i popullsisë dhe masat e marra për ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave. “INSTAT do të jetë gati për të nisur censusin më 1 tetor”, - thotë Nurja, e cila u jep përgjigje edhe kërkesave që vijnë nga OMONIA apo Komuniteti Musliman për të qenë pjesë e procesit.
Zonja Nurja, procesi i regjistrimit të popullsisë ka shkaktuar një sërë debatesh në opinionin publik, edhe për realizimin teknik të tij. Në ç’fazë ndodheni aktualisht me përgatitjet?
INSTAT është tani në fazën e mbylljes së trajnimit të mbikëqyrësve, trajnim i cili ka zgjatur 2 javë dhe ku po trajnohen 165 persona. Ata do të mbikëqyrin procesin e Censusit në terren. Janë 128 supervizorë që do të punojnë në gjithë Shqipërinë dhe 37 persona do jenë persona në gatishmëri, në qoftë se ndonjë nga personat e parashikuar për këtë pozicion (për shkak sëmundje ose arsye të tjera ) nuk mund ta kryejë këtë proces. Mbikëqyrësit, së bashku me stafin e INSTAT-it në qendër dhe rrethe do të trajnojnë 12600 anketues. Gjithashtu, edhe në këtë rast do ketë rreth 900 persona rezervë (në gatishmëri) për zëvendësim nëse do jetë i nevojshëm. Procesi në terren i censusit, përveç stafit të INSTAT-it do të funksionojë si kaskadë, mbikëqyrës, kontrollorë dhe anketues. Secila nga këto hallka do të ketë një rol të përcaktuar qartë në këtë proces. Në këtë skemë do të jenë rreth 2500 kontrollorë. Trajnimi për kontrollorët do të kryhet nga data 6 deri më 10 shtator. Kontrollorët do mbikëqyrin direkt anketuesit, ndërkohë që ata vetë do të supervizohen nga Mbikëqyrësit. Këto trajnime kanë kërkuar mbështetje të fuqishme, një logjistikë efektive dhe persona të shumtë të përfshirë në këtë proces, pasi këto trajnime do të kryhen në 23 qytete të Shqipërisë. I gjithë Instituti i Statistikave në qendër dhe në rrethe është përfshirë për të kryer këtë trajnim, qoftë nga ana logjistike apo për të kryer trajnimin. Faza e fundit e trajnimit është faza më sfiduese, ku 12 600 anketues do të trajnohen në 108 vende në të gjithë Shqipërinë. Kjo periudhë trajnimi është në përputhje me standardet europiane, ku metodologjia kërkon që trajnimet të kryhen sa më afër periudhës së fillimit të Censusit në terren , në mënyrë që të jetë sa më efektiv. Është qëllimi ynë për të informuar Shqipërinë në mënyrën më të mirë të mundshme. Censusi është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe është në interesin e gjithë personave rezidentë në Shqipëri për të marrë pjesë, sepse çdo e dhënë e marrë do të ndihmojë për të planifikuar të ardhmen dhe zhvillimin ekonomiko-social në vend.
Censusi do të kryhet nën nivelet më të larta të sigurisë. INSTAT ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes, ku ka një plan konkret të shpërndarjes së materialeve të Censusit në terren . INSTAT, së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes, do shpërndajnë materialet dhe do t’i mbledhin në fund të procesit, duke garantuar mbrojtjen e të dhënave. Ligji garanton mbrojtjen e të dhënave dhe konfidencialitetit të të dhënave personale. Çdo informacion i mbledhur do të jetë konfidencial dhe do të shërbejë vetëm për të publikuar të dhëna zyrtare statistikore.
Informacioni personal i mbledhur gjatë Censusit do të mbahet i fshehtë.
Cili ka qenë problemi më i madh që keni hasur deri në këtë fazë, lidhur me kryerjen e procesit të regjistrimit?
Deri tani, nuk kemi patur asnjë vështirësi madhore. Sigurisht kuptohet përfshirja dhe menaxhimi i personave të shumtë në këtë proces sjell dhe sfida. Megjithatë, nuk shohim probleme dhe INSTAT do jetë gati, siç është parashikuar, për të nisur Censusin me 1 tetor.
Si mendoni të realizoni këtë proces, në kushtet kur një pjesë e mirë e shqiptarëve janë emigrantë, mungon sistemi i adresave dhe një pjesë e njerëzve nuk gjenden në shtëpi?
Kam dëshirë që ta shpjegoj pak më shumë këtë proces, pasi shumë njerëz janë ngatërruar. Fillimisht, dua të theksoj që Censusi kudo në botë ka një përkufizim të saktë mbi kë duhet të numërojë. Koncepti ka të bëjë me rezidentin e zakonshëm, i cili thënë me fjalë më të thjeshta është një person i cili jeton dhe punon në një vend të caktuar, prej të paktën 12 muajsh. Qëllimi është që të kemi një tablo të qartë të popullsisë banuese në një moment të caktuar kohor (çdo 10 vjet) për të planifikuar se sa njerëz janë në këtë qytet, komunë apo fshat, me qëllim ndërtimin e strategjive dhe politikave zhvilluese për komunitetin. Censusi nuk është qëllim në vetvete, por është mjet i pazëvendësueshëm për të realizuar qëllimin. Dhe qëllimi të cilin e përmenda dhe më lart ka të bëjë me planifikimin e politikave të zhvillimit të një vendi dhe do t’i shërbejë për të paktën 10 vjet politikëbërësve, bizneseve, organizatave që merren me politika, për të hartuar strategjitë e tyre të zhvillimit. Nga ana tjetër, janë rreth 200 vende që kryejnë CENSUSIN në vitin 2010-2011, dhe çdo njeri do numërohet në vendin e ndodhjes, në procesin e kryerjes së Censusit, që do të thotë që nuk do ketë njeri që nuk do të numërohet. Ka dhe të huaj që jetojnë në Shqipëri, ata do të numërohen këtu dhe jo në vendin e tyre të lindjes (përveç diplomateve të huaj, të cilët nuk do të numërohen) .
Përsa i përket personave që nuk do gjenden në shtëpi, në momentin e Censusit ka një procedurë të qartë dhe udhëzime specifike për çdo anketues. Nëse anketuesi do të vijë në shtëpi dhe nuk do të gjejë asnjeri nga ajo banesë, do të lërë një njoftim dhe numrin e tij të celularit për ta kontaktuar se kur të jetë momenti i përshtatshëm për atë familje për të kryer intervistën. Dhe nëse nuk merr përgjigje, ai do të raportojë te kontrollori, i cili do të japë udhëzimet për më tej. Por qëllimi është që askush të mos ngelë pa numëruar gjatë 3 javëve proces në terren dhe unë kam besimin se do t’ia dalim mbanë.
Ka pasur pretendime nga Komuniteti Musliman si dhe nga OMONIA, të cilët duan përfaqësues në grupet e regjistrimit, pikërisht prej mungesës së besimit. Si do të veproni në këto raste?
INSTAT, gjatë vitit 2009-2010, ka zhvilluar tryeza të rrumbullakëta, ku pjesë të tyre kanë qenë edhe komunitetet fetare. Drafti i pyetësorëve është diskutuar me komunitete të ndryshme fetare për mendim dhe pasi ka kaluar në të gjithë grupet e interesit është miratuar nga Komisioni Qendror i Regjistrimit. Komisionet e regjistrimit janë të përcaktuara me ligj dhe INSTAT është thjesht zbatues i tij. Gjithashtu, ka kritere të përcaktuara qartë për anketuesit dhe INSTAT, theksojmë edhe njëherë, është institucion teknik. Qëllimi kryesor gjatë kryerjes së Censusit është ruajtja e konfidencialitetit mbi të dhënat dhe nuk lejohet në asnjë mënyrë shoqërimi i anketuesit në terren. Anketuesi i cili do shkojë në çdo familje do të ketë një kartë identifikuese dhe do jetë vetëm ai i cili do paraqitet për të kryer numërimin. Asnjë person nuk mund ta shoqërojë atë, pasi ndryshe nuk respektohet konfidencialiteti. Çështja është që kriteret për anketuesit janë jodiskriminues dhe për këtë arsye ne nuk do të bëjmë asnjë dallim të tillë.
Ka ende shumë mungesë besimi mbi procesin, por edhe informacione se do të ketë penalizime...
Censusi nuk ka filluar akoma, por nuk ka asnjë arsye për ta bojkotuar atë, sepse konfidencialiteti i të dhënave është i garantuar dhe nuk ka vend për frikë taksimi apo çdo lloj pasoje legale, kur jepen të dhënat personale.