Bello: KESH-i mbulon humbjet me rritjen e çmimit
Deputeti Marko Bello denoncoi dje rritjen e çmimit të energjisë për shkak të keqmenaxhimit dhe humbjeve të KESH-it. Sipas tij kjo masë antipopullore dhe me kosto për kredibilitetin e qeverisë, erdhi për shkak të humbjeve tepër të mëdha të Korporatës. "Ata që detyrohen të kompensojnë humbjet në rrjet, mospagimin e faturave dhe vjedhjet e mëdha që i janë shkaktuar KESH-it, edhe kësaj radhe janë qytetarët e thjeshtë, ata që paguajnë rregullisht faturat e fryra të energjisë", theksoi Bello. Ai sqaroi se specialistë dhe ekspertë të fushës kanë faktuar se vitin e kaluar, KESH nuk mundi të arkëtojë rreth 5 miliardë lekë, ose 60 milionë USD. "Ndërsa gati 900 milionë kwh energji elektrike u vodh, sasi kjo që po të llogaritet me koston e importit arrin vlerën e 8 miliardë lekëve, ose rreth 100 milionë USD", tha Bello. Në total, shtoi ai, fatura e humbjes kap shifrën monstruoze të 160 milionë USD, së cilës po t‘i shtohen edhe qindra milionë USD të tjerë të shpenzuara për mbajtjen e sistemit dhe blerjeve të energjisë elektrike me çmime tejet të larta, e bëjnë KESH një kompani praktikisht të falimentuar. "Drejtori i KESH-it dhe Bordi i Komisionerëve të ERE-s, për të përligjur rritjen e çmimit të energjisë, kanë formuluar një koncept, gjoja të ri të nevojës për energji", theksoi Bello. Sipas deputetit socialist ata e kanë bazuar rritjen e çmimit, jo mbi bazën e kostos reale, por gjoja nëpërmjet strategjisë së dekurajimit të qytetarëve për të konsumuar energji. "Nuk mund të jetë komfort përdorimi i energjisë për nevoja të përditshme, sikurse kondicioneri kur temperatura shkon në 40 gradë C, apo dushi për t‘u larë 2-3 herë në javë", nënvizoi Bello.