Organika dhe pagat e reja për administratën e prefekturave
Shtohet organika e administratës publike. Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dje krijimin e një zyre të veçantë që do të merret me prokurimet publike të të gjitha institucioneve shtetërore. Në muajin janar 2008, në zbatim të politikave të qeverisë shqiptare, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin nëpërmjet të cilit ngarkon Ministrinë e Brendshme të kryejë prokurimet e përqendruara. Për këtë arsye, me urdhrin nr 12, datë 4 shkurt 2008 të Kryeministrit "Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Ministrisë së Brendshme", si pjesë e aparatit të Ministrisë së Brendshme është krijuar Njësia e Zhvillimit të Prokurimeve të Përqendruara, në përbërje të së cilës do të ketë një drejtor dhe gjashtë koordinatorë. Meqenëse kjo është një njësi e re dhe emërtesat e pozicioneve në përbërje të saj janë emërtesa "atipike", është miratuar dje vendimi i cili jep kategorizimin e këtyre pozicioneve për efekt page. Ky ligj i shtrin efektet financiare, duke filluar nga data 4 shkurt e këtij viti.
Paga për prefektët
Këshilli i Ministrave ka vendosur dje edhe pagën e re për nëpunësit e administratës së prefektit. Ky vendim merret duke bërë një riklasifikim në pagë për nënprefektët. Mbështetur në urdhrin e Kryeministrit Berisha, nr. 168, datë 2.10.2007 "Për ngarkimin e nënprefektit të Rrethit Sarandë, që të ushtrojë funksionet e Prefektit në rrethet Sarandë dhe Delvinë", si edhe mbështetur në urdhrin e Kryeministrit nr. 190, datë 7.11.2007 "Për miratimin e strukturës dhe të organikës së administratës së nënprefektit Sarandë", nënprefekti i nënprefekturës së Sarandës ushtron funksionet e prefektit për rrethet Sarandë dhe Delvinë.
në pikën e parë të vendit nr 370, datë 14.06.2006 të Këshillit të Ministrave bëhen këto ndryshime. Nënprefekti i Kavajës, Lushnjës dhe Sarandës do të paguhen duke filluar nga ky muaj me pagën 87 mijë lekë të reja.