E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello: KLSH të hetojë shpërdorimet e fondeve në RTSH e Berishës

Partia Socialiste nëpërmjet deputetit të saj, Marko Bello i ka kërkuar KLSH të nisë menjëherë kontrollin  në RTSH, për të davaritur çdo dyshim mbi abuzimet skandaloze me fondet publike dhe pronësinë e saj anembanë vendit, e cila po u jepet operatorëve privatë për 1 Euro. Sipas Bellos, në raportin e fundit të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve në Republikën e Shqipërisë, të bie në sy, edhe një herë, se RTSH vijon me kokëfortësi të injorojë veprimtarinë politike të partive opozitare, duke transmetuar në pjesën më të madhe të kohës aktivitete politike të mazhorancës së djathtë që qeveris vendin që nga 2005. Megjithë shqetësimin e ngritur nga drejtues të Partisë Socialiste, tha Bello  se Radiotelevizioni Shqiptar, si operatori i vetëm publik kombëtar po demonstron njëanshmëri të dukshme në favor të partisë në pushtet. Në raportin e KKRT për vitin 2008, u shpreh deputeti Bello rezulton qartë se ky shqetësim jo vetëm nuk është marrë në konsideratë, por përkundrazi, njëanshmëria është thelluar deri në atë shkallë sa mund të themi se sot ky ent i rëndësishëm publik është kthyer në një institucion tërësisht partiak. Ai deklaroi se në vitin 2008, pasqyrimi nga ana e RTSH i veprimtarive të institucioneve qeveritare dhe politike, sipas KKRT, është dukshëm në favor të mazhorancës me rreth 55% të kohës ku më shumë se gjysmën e zë kryeministri Berisha, ndërsa në 10.8% që zënë aktivitetet e parlamentit, gati 80% e zënë vizitat, shtrëngimi i duarve dhe buzëqeshjet e kryetares Topalli. Si TVSH, ashtu edhe Radioja janë vënë tërësisht në dispozicion të pushtetit dhe preokupim kryesor ka përmirësimin e imazhit të Berishës dhe Topallit, për të cilët herë pas here transmeton edicione speciale të ekzagjeruara dhe të denja për kohën e diktaturës komuniste,- u shpreh Bello. Deputeti Bello tha se në këtë pasqyrim servil dhe bajat të bëmave të Berishës dhe Topallit, jo vetëm minutazhi është në favor të mazhorancës, por edhe ndërtimi i lajmit, mënyra se si qëmtohet dhe stiset ai, tregojnë se sa poshtë ka rënë niveli i një televizioni, për ekzistencën e të cilit kontribuojnë me paratë e tyre të gjithë shqiptarët. Ai theksoi se në vend që të ishte një dritare dinjitoze e kombit, RTSH mund të pagëzohet edhe RTJ, ndërsa Radio Tirana, në vend të togfjalëshit të mirënjohur Ju flet Tirana  duket sikur thotë Ju flet Berisha. Kështu e ka katandisur këtë institucion dyshja Beci-Koleci.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›