Kodheli: PS krenare për kontributin që ka dhënë për anëtarësimin në NATO
Partia Socialiste e Shqipërisë është krenare të konstatojë se gjatë gjithë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka dhënë një kontribut të pamohueshëm në arritjen e standardeve që mundësuan këtë objektiv. Kështu deklaroi dje, zëdhënësja e PS, Mimi Kodheli.
Ajo tha se roli vendimtar i opozitës Socialiste në krijimin e frymës së konsensusit për realizimin e reformave madhore për vendin siç qe nisma për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, mund të konsiderohen pa hezitim si kontribute deçizive në procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO. Mbyllja dje e procesit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në NATO nga 26 vendet anëtarë të Aleancës së Atlantikut shënon një ngjarje me një simbolikë të paprecedent,- u shpreh Kodheli. Ajo nënvizoi se Anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, që është një aleancë vlerash demokratike, shtron para politikës shqiptare e në veçanti para qeverisë detyrën madhore të përmbushjes së standardeve, respektimin e institucioneve demokratike, dhe sidomos zhvillimin e zgjedhjeve në standardet demokratike. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO njëkohësisht është një moment i cili gëzon mbarë popullin dhe kombin shqiptar dhe nuk mund të përdoret për qëllime të ngushta për përftime partiake. Në NATO pranohet Shqipëria!,- theksoi Kodheli. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, shtoi Kodheli do të forcojë akoma më shumë sigurinë në tërë zonën Euro-Atlantike, dhe do ta çojë Shqipërinë më pranë objektivit të Evropës së Bashkuar. Megjithatë anëtarësimi i mundshëm në Prill të këtij viti shënon fillimin e punës së vërtetë. Populli ynë e arriti këtë objektiv duke u dashur të kalojë përmes shumë sprovash, përmes përkushtimit të të gjithëve në veçanti të Forcave tona të armatosura dhe angazhimit serioz e konstant për të përqafuar vlerat që mbrujnë tërë filozofinë e ekzistencës së NATO,- u shpreh Kodheli.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1