E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bashkëpunimi luajal me opozitën, bëri të mundur ratifikimin

Kryeministri Berisha ka përshëndetur përfundimin e procesit të ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga 26 vendet anëtare të saj dhe e vlerësoi atë si një akt kulmor në marrëdhëniet e Shqipërisë me botën e lirë. Gjatë një konference për shtyp, kreu i qeverisë ka theksuar se protokollit i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, është bërë i mundur fal frymës së bashkëpunimit luajal me opozitën dhe respektit ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri. Kreu i qeverisë e ka cilësuar një zhvillim tepër pozitiv faktin që Partia Socialiste mori një qëndrim qartësisht pro-atlantist dhe kontribuoi në këtë drejtim. Berisha ka cilësuar të rëndësishme edhe Kartën Adriatik 3, e cila, sipas tij ka qenë një ofertë e shkëlqyer e qeverisë amerikane për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri vlerësoi se ratifikimi i protokollit është dëshmi e përpjekjeve të Shqipërisë për të ndërtuar shtetin ligjor dhe Shqipëria tejkaloi çdo parashikim për afatin e përfundimit të ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e plotë në NATO. Finalizimi i ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në një hark kohor prej 6 muaj dhe 10 ditë, është dëshmi e vlerësimit të madh të përpjekjeve të Shqipërisë për të ndërtuar shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut, vlerësim i rolit të saj për paqen, stabilitetin në rajon dhe në botë, është vlerësimi i bashkëpunimit të saj luajal me Aleancën e Atlantikut të Veriut, është shprehur Berisha. Sipas kryeministrit, ratifikimi i protokollit Shqipëri-NATO dhe përfundimi i këtij procesi në kohë tregon për një nivel të paprecedentë të vlerësimit të Shqipërisë nga vendet e NATO. "Në 2005, vijoi Berisha, nuk ka patur parashikues ndër më optimistët që parashikon se Shqipëria brenda mandatit tim të parë do përfundonte protokollin, por ne e tejkaluam këtë afat. Ju premtova ftesën e anëtarësimit shqiptarëve, por jo finalizimin e procesit, sepse të tilla ishin muret që ishin ngritur dhe që pengonin këtë proces për Shqipërinë", shtoi kryeministri. Sipas tij, nuk ka dyshim se ky proces do të ishte i pamundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme që presidenti George Bush dhe qeveria e SHBA, i dhanë shqiptarëve. Ndër të tjera, Berisha ka theksuar se do të diskutojmë me NATO dhe jemi të gatshëm të dërgojmë një kompani shtesë atje. Ashtu siç i premtova Sekretares së Shtetit, Klinton në takimin që pata me të, ne jemi të gatshëm ta përmbushim zotimin tonë. Jemi të gatshëm gjithashtu dhe në konceptin e ri të Presidentit Obama, të kontribuojmë jo vetëm ushtarakisht, në mënyrë modeste dhe proporcionale në këtë vend, paqja, stabiliteti i të cilit ka një rëndësi madhore për të gjithë botën. Ne jemi të gatshëm në mënyrë modeste të japim kontributin tonë, ka theksuar kreu i shtetit. Berisha e ka përcaktuar NATO ombrellë të lirive, dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, sipas tij do të thotë anëtarësim në ombrellën e lirisë së vet.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›