E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: “Në Partinë Socialiste nuk ka demokraci”

Autori i Lajmit: S.T
Deputeti socialist Marko Bello deklaron se demokracia në selinë rozë nuk funksionon më. Bello iu referua në qëndrimin e tij, zhvillimeve në mbledhjen e grupit socialist gjatë të cilit u mor vendimi për mbarimin e bojkotit në të cilën, tha ai, u konfirmua edhe një herë presioni që është ushtruar nga kolegët e tjerë mbi anëtarët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. “Çdo vendim ndryshe sanksionohet, dënohet. Në diktaturë edhe pushkatoheshe. Ne e vumë re gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, përpara se të hynim në Parlament kur u krijua një atmosferë dhe një situatë aq mbytëse sa për një moment, po të shkëputeshe nga realiteti, dukej sikur pas kësaj mbledhjeje do të arrestoheshe si në kohën e Enver Hoxhës. Ajo që është ëndërruar nga një grup njerëzish që kanë qenë në minorancë në PS, që sot janë kthyer në mazhorancë, është pikërisht të imitojnë Sali Berishën dhe PD. Kanë pasur ëndërr të kishin një parti ku lidershipi tu imponohej të gjithëve dhe të rreshtoheshin pranë kryetarit të partisë, i cili të ishte i barabartë me partinë, siç ka thënë dikur Majakovski, që kur themi Lenini nënkuptojmë partia dhe anasjelltas, kur themi partia kemi parasysh Leninin”, - tha Bello. Sipas tij, deklaratat e Ramës për protesta shërbejnë thjesht për të mbajtur varur ata mbështetës të socialistëve që mbajnë sytë nga partia për tu punësuar. “Deklarata për betime nga njëri apo tjetri se do të vazhdojmë protestat më të fuqishme se më parë, se vendi do të tronditet nga protesta të papara, mua më duket që janë thjesht një demagogji për të mbajtur akoma në gjumë një pjesë të PS-së, së cilës i është premtuar se shumë shpejt ata do të marrin pushtetin dhe shumë shpejt ata do të sistemohen në punë”, - tha Bello.

Ky lajm është publikuar: 03/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›