E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello: Qeveria, në tre vjet, asnjë premtim i realizuar

Partia Socialiste deklaroi dje se në tre vjet të së djathtës në pushtet, kjo qeveri nuk ka realizuar asnjë premtim të fushatës elektorale. Sipas deputetit të PS-së, Marko Bello, i vetmi sukses që po i njihet tani Shqipërisë, është stabiliteti politik dhe bashkëpunimi midis forcave kryesore në Parlament. “Pa ekzagjeruar aspak, ky sukses vjen për meritë të opozitës, e cila ka demonstruar pjekuri politike dhe ka dhënë prova se di të vërë interesat e vendit mbi ato partiake. Edhe ndonjë konflikt që ka shpërthyer vjen për shkak të arrogancës së mazhorancës, e cila herë konfliktohet me Presidentin, herë me Prokurorinë dhe herë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, - tha Bello. Ai vërejti se qeveria ka dështuar në luftën kundër korrupsionit, në drejtim të luftës kundër trafiqeve të qenieve njerëzore, investimet etj,

Komisioni i Integrimit, forum për integrimin në Vlorë

Kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, z.Ilir Meta, drejtoi dje Forumin për Integrimin Evropian, që u zhvillua në qytetin e Vlorës. Ky forum organizohet nga Komisioni parlamentar i Integrimit në bashkëpunim me OSBE dhe Lëvizjen Evropiane. Në këtë forum ishte i pranishëm Shefi i Pezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, drejtori i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Ditmir Bushati, deputetët e qytetit të Vlorës, Bujar Leskaj dhe Arben Malaj, si dhe të tjerë anëtarë të Komisionit parlamentar të Integrimit. Ndërsa, në këtë forum binte në sy mungesa e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, dhe drejtuesve të pushtetit vendor të Vlorës. Duke e hapur këtë takim, kryetari i LSI-së, z.Ilir Meta, u shpreh se mbledhja e këtyre forumeve që organizohen në bashkëpunim me OSBE-në dhe Lëvizjen Evropiane, ka si qëllim që çështjet dhe problemet e integrimit evropian, të debatohen në nivele vendore. Më pas gjatë fjalës së tij, Shefi i Pezencës së OSBE-së në Shqipëri Robert Bosch, u ndal gjerësisht mbi procesin e integrimit Evropian, dhe standardet që duhet të ketë Shqipëria për sa i përket sektorit të turizmit. Ndërsa relatorët e tjerë në këtë takim, deputetët e qytetit të Vlorës, Bujar Leskaj dhe Arben Malaj, folën mbi potencialin industrial të turizmit dhe impaktit ekonomik të qytetit të Vlorës, si dhe mbi sfidat e tranzicionit dhe mbi politikat e arsimit në këtë qytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›