E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do largoj ministrat e deputetët spiunë



PD-ja rikthehet tek ligji i 2006-ës për spiunët

Jo hapje dosjesh për median dhe klerikët

Demokratët i rikthehen ligjit të 2006-ës për spiunët por duke i bërë të tjera ndryshime. Ligjit të vjetër do t’i shtohen pjesë nga drafti “Biberaj” ndërkohë që përjashtohen nga hapja e dosjeve media dhe klerikët. Kjo u vendos dje në mbledhjen dyorëshe pa praninë e medias të grupit parlamentar të PD-së, ku deputetët morën në shqyrtim nen për nen të gjithë projektin e paraqitur nga deputeti Biberaj dhe amendamentet shtesë të deputetit tjetër Fatos Hoxha, të cilët bënë prezente punën me draftet e paraqitura në grupin kuvendor të mazhorancës. Z.Biberaj mbrojti variantin që të hapen të gjitha dosjet, por të bëhen publike vetëm për vendimmarrësit. Kryeministri Sali Berisha u bëri të ditur deputetëve të tij se dosjet do të hapen për të gjithë zyrtarët e lartë, ndërsa bëri deklaratën “bombë” duke thënë se “do të përjashtohen nga qeveria ministrat që kanë dosje dhe nga Kuvendi deputetët që kanë qenë bashkëpunëtorë me Sigurimin e Shtetit”. Një gjë e tillë u mirëprit nga gjithë deputetët demokratë, por kreu i mazhorancës specifikoi se nga ky ligj duhet të përjashtohen klerikët dhe njerëzit e medias. Këtë të fundit Berisha e argumentoi me faktin se gazetarët ushtrojnë aktivitet privat dhe nuk mund të përfshihen me zyrtarët e lartë që punojnë në administratën publike. Për hapjen e dosjeve të të gjithë drejtuesve të lartë të vendit dhe zyrtarëve të të gjitha niveleve u shprehën dhe deputetët Besnik Mustafaj, Bujar Leskaj, Astrit Patozi, Gjok Vuksani etj. Ky i fundit ka propozuar që komisioni që do ngrihet për hapjen e dosjeve të drejtohet nga dy përfaqësues të mazhorancës dhe dy përfaqësues të opozitës. Po në mbledhjen e djeshme u hodh ideja që pranë këtij komisioni çdo qytetar do të mund të shkojë dhe të marrë një certifikatë e cila të vërtetojë mosbashkëpunimin e tij me ish-Sigurimin e Shtetit. Një gjë e tillë sipas demokratëve do të bënte shkëputjen një herë e mirë të së sotmes nga e kaluara e errët e komunizmit dhe mekanizmave të tij çnjerëzore. Gjithsesi, gjatë kësaj jave grupi parlamentar i PD-së do të merret me ndryshimet që do i bëhen ligjit të 2006-ës dhe që mban firmën e ish-kryetarit të grupit Bamir Topi. Drafti përfundimtar do t’i paraqitet Komisionit parlamentar të Ligjeve ku pritet dhe konsensusi i opozitës për miratimin në Kuvend të ligjit të ndryshuar.

Berisha: PS-ja krijoi pseudonime spiunësh për PD-në

Kryeministri Sali Berisha ftoi dje opozitën që të bashkëpunojë me mazhorancën për miratimin në Kuvend të ligjit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimsave. Por kreu i qeverisë u kujtoi të majtëve se mbetën të befasuar nga rikthimi tek ligji i hapjes së dosjeve. Madje Berisha në prani të deputetëve të tij, akuzoi dje opozitën se krijoi pseudonime spiunësh brenda PD-së për të mbjellë një tjetër konflikt në politikën shqiptare. Kryeministri Berisha u shpreh se "ligji për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë ka lidhje me pastërtinë e atyre që qeverisin vendin, zyrtarëve apo vendimmarrësve në raport me lidhjet e tyre të shkuara me Sigurimin e Shtetit dhe me organet e dhunës". Në këtë drejtim, Kryeministri e konsideroi si befasues faktin që "ditën e djeshme, PS-ja, e cila ishte bërë promotore e rikthimit të këtij ligji në Parlament, u tërhoq duke bërë një kthesë të plotë". "Nuk ka diskutim që PS-ja është trashëgimtare me ligj dhe me frymë e Partisë së Punës, por nga ana tjetër, sot lidershipi i saj nuk është pjesë e ish-nomenklaturës së vjetër, pasi shumë prej tyre janë të rinj", - tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, "socialistët duhet të bashkohen për të faktuar reformimin dhe vendosmërinë e tyre për t'u shkëputur nga faqja më e zezë dhe më tragjike e historisë kombëtare". Kreu i qeverisë vuri në dukje se me miratimin e këtij ligji nuk shkelet asnjë nen i Kushtetutës, përkundrazi, ky ligj inkurajohet nga Këshilli i Evropës, si dhe është një kërkesë nga Parlamenti Evropian. "Megjithatë, nuk dua ta bëj këtë një çështje mes pozitës dhe opozitës, sepse kjo duhet të trajtohet. Ndaj, ftoj sërish PS-në dhe të gjitha forcat politike të bashkohen në këtë projekt, i cili duhet të jetë shumë i hapur, pasi reformat nuk kanë si qëllim të shkuarën, por të ardhmen", - tha Kryeministri Berisha, duke e konsideruar një reformë shumë të rëndësishme miratimin e ligjit për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë.

Amendamentet “Hoxha”

Në projektligjin ‘‘Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë, të administratës dhe të zgjedhurve’’, të bëhen këto amendamente:

Amendamenti 1

Titulli i projektligjit të bëhet nga "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë, të administratës dhe të zgjedhurve’’, në "Për pastërtinë e figurave të të zgjedhurve, zyrtarëve të lartë dhe personave publik뒒.

Amendamenti 2

Në nenin 3 të projektligjit, pas shkronjës ‘‘h’’, të shtohet shkronja ‘‘i’’ me këtë përmbajtje:

‘‘ i) Kandidatët për deputetë, kryetar bashkie, kryetar komune, dhe kryetar i këshillave të qarkut. Subjektet e përcaktuara në fjalinë e parë të kësaj shkronje, i nënshtrohen verifikimit të përgjithshëm, sipas procedurës së caktuar në nenin ‘18’ të këtij ligji.’’

Amendamenti 3

Në nenin 4, të projektligjit, pas shkronjës ‘‘c’’, të shtohet shkronja ‘‘c/1’’ me këtë përmbajtje:

‘‘c/1 Punonjësit e sigurimit të shtetit, të periudhës 29 nëntor 1944 deri 11 dhjetor 1990 apo të organeve të punëve të brendshme, të cilët kanë rekrutuar drejtpërdrejt dhe/ose kanë drejtuar bashkëpunëtorët e organeve të sigurimit të shtetit, që përfshihen në kategorinë e shkronjës ‘‘璒 të këtij neni’’.

Amendamenti 4

Përmbajtja e nenit 5 të projektligjit ndryshon si vijon:

VERSIONI 1:

Komisioni i verifikimit të figurave përbëhet nga pesë anëtarë, shtetas shqiptarë, me integritet të lartë moral, të cilët zgjidhen në detyrë nga Kuvendi si vijon:

a) 2 anëtarë zgjidhen me propozim të shumicës parlamentare;

b) 2 anëtarë zgjidhen me propozim të opozitës parlamentare;

c) 1 anëtar me konsensus midis shumicës dhe opozitës parlamentare.

Procedurat e detajuara të propozimit dhe zgjedhjes përcaktohen në Rregulloren e Kuvendit.

Amendamenti 5

Në nenin 12 të projektligjit, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa

1. Në përmbajtjen e shkronjës ‘‘a’’, në fund shtohen fjalet “për kandidatë që rekrutohen zgjidhen apo emërohen’’.

2. Në fund të nenit 12 shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:

“Individet të cilët, për shkak të funksionit, postit, profesionit apo veprimtarisë që ushtrojnë janë persona publike kanë të drejtë të kërkojnë nga komisioni verifikimin e figurës së tyre edhe në rastet kur nuk përfshihen në procedurë verifikimi sipas paragrafit të parë të këtij neni’’.

Amendamenti 6

Neni 18

Verifikimi i deputetëve dhe i të zgjedhurve lokale

Për kandidatët për deputetë, kryetar komune/bashkie ose kryetar i këshillave të qarkut, subjektet elektorale, i kërkojnë komisionit, me shkrim, verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve përpara depozitimit të dokumentacionit të tyre në komisionet zgjedhore. Verifikimi bëhet brenda 10 ditëve kalendarike nga depozitimi i kërkesës.

Kur sipas një vendimi të formës së prerë, vërtetohet se deputetët, kryetarët e komunave/bashkive dhe kryetarët e këshillave të qarkut, në detyrë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë figurë të papajtueshme në kuptim të këtij ligji, pushojnë së ushtruari mandatin e tyre. Zgjedhja e funksionarëve zëvendësues për kohën e mbetur të mandatit bëhet në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse në fuqi.

Amendamenti 8

Neni 19/1

Detyrimi për publikim dhe përgënjeshtrim

Çdo organ i medias që përflet apo hamendëson drejtpërdrejt apo nëpërmjet publikimit të artikujve të të tretëve akuza për papajtueshmëri sipas këtij ligji, është i detyruar, me kërkesë me shkrim të të akuzuarit, të përgënjeshtrojë akuzat, pa pagesë brenda 10 ditëve kalendarike në edicionin qendror të lajmeve apo në faqen e parë të medias respektive. Përgënjeshtrimi shoqërohet me leximin ose botimin e tekstit të plotë të vendimit të komisionit të verifikimit të figurës. Ky detyrim i shtrin efektet dhe për media, forume apo faqe zyrtare elektronike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›