E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi kalon në qeveri nismën e LSI-së për pensionistët

Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi dje projektligjin “Për kujdesin ndaj moshës së tretë” në Komisionin parlamentar të Punës dhe Çështjeve Sociale, pasi prej disa kohësh e kishte depozituar atë në Kuvendin e Shqipërisë. Zv.kryetari i LSI-së dhe kreu i grupit parlamentar të saj, Pëllumb Xhufi, si dhe dy nënkryetarët e LSI-së, deputeti z.Dritan Prifti dhe znj.Filloreta Kodra, ishin të pranishëm në mbledhjen e djeshme në Komisionit të Shëndetësisë, Punës dhe Çështjeve Sociale për të paraqitur për anëtarët e tij projektligjin dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre rreth draftit, asaj çfarë përmban ai dhe synimit. Ndërkaq, duke iu përgjigjur konstatimit të një deputeti të opozitës se qeveria nuk do ta mbështesë projektligjin për moshën e tretë për shkak të faturës financiare, Filloreta Kodra theksoi se ky draft do të jetë në leverdinë e qeverisë. Sipas nënkryetares së LSI-së, qeveria ka nisur reformën e pensioneve, në bashkëpunim me Bankën Botërore, por skemat aktualisht gjenden në kolaps. Nga ana e tyre, anëtarët e Komisionit të Çështjeve Sociale mirëpritën projektligjin, i cili do t’i dërgohet për mendim Ministrisë së Financave, asaj të Punës dhe Shëndetësisë. Në një zë anëtarët e komisionit konstatuan se projektligji sjell një frymë të re në trajtimin e moshës së tretë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›