PDK: Topi të largojë prokurorët politikë
PDK-ja i kërkoi dje Presidentit Topi që të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese dhe të largojë nga institucionet e drejtësisë të gjitha ata prokurorë, gjyqtarë dhe punonjës të tjerë të këtij sistemi që në vendimet e tyre nuk udhëhiqen nga ligji, por nga urdhrat politikë. Përmes një deklarate për shtyp, PDK-ja bën të ditur se ndërtimi dhe funksionimi i shtetit ligjor është detyrim madhor i kësaj mazhorance. Ne, thuhet në deklaratë, kemi mbështetur dhe do të mbështesim çdo iniciativë dhe çdo përpjekje që rrit pavarësisë e sistemit të drejtësisë nga politika dhe garanton funksionimin e ligjit dhe të Kushtetutës. Po dje, PDK-ja parashtroi disa kërkesa në adresë të mazhorancës, si përshpejtimin e punës për reformën zgjedhore dhe mbledhjen e koalicionit qeveritar. Në këtë kuadër, PDK-ja ripërsëriti kërkesën e arsyeshme dhe emergjente që të funksionojë tryeza e partive politike të koalicionit qeveritar. Sipas saj, grupet parlamentare duhet të konsultohen paraprakisht përpara se në seancë parlamentare të vihen përpara faktit të kryer dhe ndonjëherë, përpara marrëveshjeve e pazareve të fshehta apo publike, që cenojnë vizionin politik të vetë mazhorancës dhe angazhimeve të saj për reforma dhe integrim euroatlantik.