E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakësohen përfituesit, rritet me 10 për qind fondi i ndihmës ekonomike

Ndihma ekonomike do të rritet për pak kohë. Kjo është bërë e ditur dje për gazetën “standard” nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Ndërkohë, përfituesit e kësaj ndihme janë pakësuar ndjeshëm pas kontrolleve të fundit që Shërbimi Social Shtetëror ka kryer në të gjitha rrethet e vendit. Kështu, nga skema janë hequr 3167 familje, që përfitonin abuzivisht, si edhe 740 persona me aftësi të kufizuara.

Por, për të gjithë ata që kanë mbetur në këtë skemë, fondi do të rritet. Kështu, brenda pak kohëve do të shtohet 10 për qind fondi total i ndihmës ekonomike, krahas të gjitha të ardhurave që grumbullohen nga familjet e hequra nga skema. Më pas, do të jenë bashkitë dhe komunat ato që do të vendosin se sa do të shtohet ndihma për secilën familje.

Rritet fondi

Fondi për ndihmën ekonomike do të rritet brenda pak javëve, sipas Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Zëdhënësja e këtij institucioni, Alma Lahe, deklaroi se projekti është gati dhe tashmë pritet që të kalojë në Këshillin e Ministrave.

“Nuk e dimë se cili do të jetë efekti mbi personat që përfitojnë ndihmë ekonomike, pasi janë njësitë e pushtetit vendor, ato që vendosin se si do t`i ndajnë këto fonde, – thotë znj. Lahe – Kjo pasi, fondi mund të mos jetë i mjaftueshëm për rritje. Ne po bëjmë çfarë të jetë e mundur që të gjithë personat që përfitojnë ndihmë ekonomike ose pagesë për personat e aftësive të kufizuara, të përfitojnë”.

Ministria e Punës ka premtuar se deri në vitin 2012 ndihma ekonomike do të dyfishohet, pasi kjo do të arrihej nëpërmjet heqjes nga skema të të gjithë personave që përfitojnë abuzivisht, si edhe nëpërmjet rritjes së vazhdueshme të fondit, që në dy vitet e fundit është shtuar me 20 për qind.

Pakësohen përfituesit

Ulja e numrit të përfituesve, që kanë qenë abuzivë është kthyer tashmë në realitet, sipas Shërbimit Social Shtetëror. “Ecuria dhe dinamika e programit të NE-së gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008 tregon se është përforcuar tendenca e uljes së numrit të familjeve përfituese nga ky program. Aktualisht janë rreth 93500 familje të varfra që përfitojnë NE ose rreth 7500 familje më pak, krahasuar me dhjetorin e vitit 2007”, – shprehet SHSSH-ja, me anë të një njoftimi për shtyp.

Vetëm gjatë inspektimeve të ushtruara për tremujorin e parë të vitit 2008 janë konstatuar raste të moszbatimit të legjislacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike për 3167 familje me një efekt financiar 8.102.000 lekë dhe moszbatim të legjislacionit të përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar për 740 raste me një efekt financiar 6.410.000 lekë.

“Për të gjitha këto shkelje të konstatuara janë propozuar gjithsej 69 masa administrative, nga këto 5 largime nga puna, 53 vërejtje me shkrim, 11 gjoba për personat përgjegjës si dhe është lënë detyrë për t’u kthyer shuma 5.765.000 lekë e përfituar padrejtësisht”, – deklaron SHSSH-ja.

Tashmë, pritet që rritja e ndihmës ekonomike të kthehet në një realitet pas miratimit të vendimit përkatës nga Këshilli i Ministrave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›