Pyjet e kullotat, nga Xhuveli tek vendorët
Qeveria zyrtarizon procesin e transferimit të pyjeve dhe kullotave në pronësi të qeverisjes vendore. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha përgëzoi dje punën e bërë nga Ministria e Mjedisit në procesin e transferimit të pyjeve dhe kullotave në pronësi të qeverisjes vendore. Si rezultat i ritmeve të mira me të cilat ka ecur ky proces, sot është bërë e mundur që të kalojnë plot 600 mijë hektarë pyje dhe kullota në pronësi të qeverisjes vendore. “Vlen të përgëzohet ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, z.Lufter Xhuveli, sepse sot bëhen plot 600 mijë hektarë pyje dhe kullota që kalojnë në pronësi të qeverive vendore. Ky proces i nisur në fillimit të këtij viti u kompletua me shpejtësi të madhe, ndryshe nga 10 vite radhazi, që kanë qenë transferuar 242 mijë hektarë kullota dhe 300 hektarë pyje. Pra, ne kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm dhe kjo meriton përgëzime”, - u shpreh Kryeministri.