LSI-ja thërret Ramën për interpelancë në Këshillin Bashkiak të Tiranës
Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Lëvizjes Socialiste për Integrim do të thërrasin në interpelancë kreun e bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, për të dhënë shpjegime lidhur me ngërçin mes bashkisë dhe qeverisë për çështjen e menaxhimit të ujit të pijshëm. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, tha dje se kryetari i PS-së duhet të shfrytëzojë bashkëpunimin me mazhorancën për të zgjidhur problemin e ujit të pijshëm. “Si LSI, do ta ngremë me forcë këtë çështje, do të kërkojmë edhe një interpelancë të veçantë në Këshillin Bashkiak, në mënyrë që palët të ndërgjegjësohen sa më shumë dhe procesi të mos mbetet pezull dhe të marrë një zgjidhje reale dhe optimale, në mënyrë që t’u shërbehet qytetarëve të këtij qyteti”, - tha Dervishaj. Nga ana tjetër, Dervishaj kërkoi nga Bashkia e Tiranës,që ekzekutivi bashkiak të jetë më i përgjegjshëm në trajtimin e kësaj përgjegjësie. “Të heqë dorë nga një dialog pa fund, apo të heqë dorë nga pretendimet pa fund që ngrenë, në mënyrë që të arrihet një mirëkuptim mes këtyre dy palëve, të ketë një transparencë në dialogun apo komunikimin që ato kanë, të mos e zvarritin pafund këtë debat, në mënyrë që qytetarët të marrin atë shërbim që iu takon”, - tha Dervishaj.