Bello: “Qeveria po zhvat shqiptarët me tatimin për banesat”
Partia Socialiste e cilësoi “zhvatës” udhëzimin e lëshuar nga Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme”. Deputeti socialist, Marko Bello, deklaroi se ky udhëzim konfirmon qëllimet e qeverisë për të grabitur gjithnjë e më tepër shqiptarët. “Sot qeveria dhe kryeministri i saj po prodhojnë ligje dhe akte nënligjore me pasoja të paparashikueshme, duke e larguar gjithnjë e më tepër nga Europa e vlerave demokratike, e tregut të lirë dhe mirëqenies së lartë.
Udhëzimi vjen si akt nënligjor me fuqi prapavepruese, pasi ai i shtrin efektet që nga 1 janari 2008. Të tatosh sot me 10 për qind çdo shitje banese apo trualli, madje dhe në rastin e dhurimit, është një cinizëm i madh, pasi qytetarët shqiptarë kanë ende probleme të mëdha me strehimin dhe në 17 vite pluralizëm është bërë shumë pak”, - tha Bello.
6 Mars 2008