E Diel, 1 Nëntor 2026

Sanksionet, ndryshon regjimi i gjobave për bizneset

Gjobat shkojnë deri në 50% të detyrimit për të paguar. Fshehja e të ardhurave, gjoba do të jetë deri në 100% të detyrimit
Erald Kapri

Qeveria ka ndryshuar edhe regjimin e gjobave për biznesin, duke vendosur një praktikë akoma më të rreptë për biznese që bëjnë evazion fiskal apo që nuk paguajnë detyrimet fiskale. Në vendimin e qeverisë, Ministria e Financave ka pranuar se aktualisht ekzistojnë disa probleme me regjimin e gjobave. Fillimisht, duke vendosur gjoba të pabarabarta, regjimi dëmton në vend që të forcojë zbatimin e vullnetshëm të ligjit nga tatimpaguesi. Nuk është e pazakontë që shuma e gjobave të vendosura të jetë sa dyfishi i shumës së tatimit për t’u paguar dhe këtë e thotë vetë Ministria e Financave. Së dyti, regjimi i gjobave në vend që të ulë mosmarrëveshjet tatimore, i rrit ndjeshëm ato. Ministria e Financave shprehet se ka mjaft ankesa se gjobat janë vendosur në mënyrë arbitrare dhe në më shumë se 75 për qind të rasteve që ankimohen. Sipas Ministrisë, kjo dëmton besimin e tatimpaguesve në tatime, gjë që çon në rritjen e moszbatimit të ligjit nga ana e tatimeve. Ministria e Financave ka argumentuar se në një administratë tatimore të prirë drejt abuzimit dhe korrupsionit, ekzistenca e gjobave tepër të rrepta, që nuk kanë zbatim universal, përbën një mjet të rrezikshëm dhe të papëlqyer për administratën tatimore. Në fakt, sanksionet e rrepta mund të rezultojnë në rritje të evazionit duke qenë se tatimpaguesit parashikojnë mënyra tepër të sofistikuara për të fshehur veprimtarinë e tyre. Ministria shprehet se në kundërshtim me praktikat më të mira, sistemi i gjobave duket se është hartuar duke pasur si objektiv parësor rritjen e të ardhurave, sesa parandalimin e moszbatimit të ligjit.
Regjimi i ri i gjobave
Defektet e mësipërme Ministria e Financave ka menduar që t’i zgjidhë me një sistem të ri për gjobat. Kështu, është vendosur që gjobat për të pakujdesshmit nuk duhet të kalojë masën 25 për qind të shumës për t’u paguar. Gjobat për detyrimet e paguara më pak, në mënyrë të vullnetshme, nuk duhet të kalojnë masën 50 për qind të shumës për t’u paguar. Gjobat për rastet e jashtëzakonshme të mashtrimit ose mospagesës së tatimit në burim nuk duhet të tejkalojnë masën 10 për qind të detyrimit për t’u paguar. Gjobat standarde, për shembull, mosdorëzimi i një deklarate tatimore ose mospërmbushja e një kërkese për informacion, duhet të bazohen në shumën e vendosur për shkelje të ngjashme civile. Një rast i arsyetuar i përjashtimit për vendosjen e gjobave duhet të shtrohet nga ana e Tatimeve. Të gjitha gjobat, civile dhe penale, duhet të përfshihen në këtë ligj të procedurave tatimore. Sipas Ministrisë së Financave, ky sistem i ri do të ulë ekonominë informale, do të mblidhen tatimet në rregull si dhe biznesi do të trajtohet më denjësisht.
Mënyra e mbledhjes së taksave
Sipas këtij ligji, administrata tatimore do të ketë të drejtën e mbledhjes së informacionit për të përcaktuar nëse detyrimet janë respektuar si dhe do të zbatojë programe të sofistikuara kompjuterike për të zbuluar rastet e moszbatimit të ligjit dhe të përdorë teknika të reja të mbledhjes ndaj atyre që shmangin pagesën e detyrimeve tatimore. Administrata tatimore do të ketë mundësinë të mbledhë detyrimet tatimore nga drejtorët e bizneseve që shmangin pagesën e detyrimeve duke përdorur metoda, siç janë mbyllja dhe rihapja e menjëhershme e biznesit në kundërshtim me ligjin, bllokimi i transferimit të pasurisë te palët e treta për të shmangur pagesën e detyrimeve dhe mbledhja e detyrimeve tatimore nga palët e treta, të cilat kanë detyrime karshi këtyre tatimpaguesve që shmangin pagesën e detyrimeve.

Disa nga detyrimet e reja të tatimpaguesve

Sipas këtij ligji, shitja e pasurisë së sekuestruar u nënshtrohet dispozitave të Ligjit “Për kundërvajtjet administrative”, të cilat do të ekzekutohen nga administrata tatimore. Për të siguruar transparencën e procedurave të shitjes, ky ligj kërkon që çdo pasuri e sekuestruar të shitet në një ankand të hapur dhe në përputhje me procedurat dhe kushtet e parashikuara në ligjin për ankandin publik.
Transferimi i detyruar tatimor te palët e treta
Kjo dispozitë ka si qëllim t’i japë administratës tatimore autoritet të mjaftueshëm ligjor për të luftuar taktikat e përhapura të shmangies së pagesës së detyrimit. Shembujt kanë të bëjnë me transferimin e pasurisë duke përfshirë dhe atë që është siguruar nga një barrë siguruese dhe mbylljen e një biznesi me detyrime të papaguara për të hapur një biznes tjetër, me një njëjtin profil. Sipas kësaj dispozite, administratorët ekzekutivë janë gjithashtu bashkërisht dhe individualisht përgjegjës për detyrimin tatimor të papaguar të personit juridik të likuiduar.
Ankimimi administrativ
Ky ligj parashikon një reformë thelbësore të sistemit aktual të apelimeve, që mbulon jo vetëm ankesat me karakter administrativ, por edhe ato me karakter gjyqësor. Dispozita përfshin eliminimin e Komisionin të apelimit tatimor në Ministrinë e Financave si dhe heqjen e afatit aktual 30-ditor për ankesa në favor të një afati kohor më të arsyeshëm, siç është afati 1-vjeçar. Detyrimi për t’u paraqitur është një nga katër mjetet e mbledhjes me forcë të autorizuar.
Nisja e procedurave të falimentimit
Në shumicën e vendeve të BE-së, administrata tatimore ose ka prioritetin ndaj kreditorëve të tjerë, ose të paktën trajtohet si një kreditor i siguruar gjatë një procedure falimentimi. Për të rritur mundësitë e saj për të rikuperuar disa ose të gjitha detyrimet tatimore të papaguara të një tatimpaguesi në falimentim, si ligji për falimentimet, ashtu edhe ligji për procedurat tatimore duhet të ndryshohen për të siguruar një prioritet më të gjerë për qeverinë kur kërkon të procedojë në rastet e një falimentimi të një tatimpaguesi që nuk ka paguar detyrimet.
Përgjegjësia dytësore e administratorit
Kjo dispozitë ka si qëllim t’i japë administratës tatimore autoritet të mjaftueshëm ligjor për të luftuar taktikat e përhapura të shmangies së pagesës së detyrimit që kanë të bëjnë me mbylljen e një biznesi me detyrime të papaguara për të hapur një biznes tjetër me një emër të ri. Sipas kësaj dispozite, administratorët janë gjithashtu bashkërisht përgjegjës për detyrimin tatimor të papaguar të personit juridik të likuiduar.
Deklarimi i detyrimit tatimor si i pambledhshëm
Borxhet e këqija tatimore mund të deklarohen si të pambledhshme pas mbarimit të afatit të parashkrimit ose në disa raste të kufizuara, kur administrata tatimore përcakton, si çdo kreditor tjetër, se tatimpaguesi nuk mund të gjendet, ose, në të kundërt, nuk është në gjendje të paguajë të gjitha ose një pjesë të detyrimeve të tij tatimore. Aktet nënligjore do të parashikojnë rrethanat përkatëse, kur mund të deklarohet si i pambledhshëm një detyrim tatimor.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›