E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: “Ligji i ri sanksionon dixhitalizimin e taksave”

Projektligji “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i paraqitur nga Ministria e Financave, u diskutua dje në mbledhjen e qeverisë pas miratimit, javën e kaluar, të projektligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor”. Ministri i Financave, Ridvan Bode, shpjegoi arsyet e përgatitjes së këtij projektligji të ri, duke sqaruar se ligji aktual për procedurat tatimore, i miratuar në vitin 1998, ka pësuar ndryshime të përvitshme dhe shpeshherë jokoherente, të cilat e bëjnë atë jo të përshtatshëm për përdorim. “Nga ajo periudhë deri sot janë bërë ndryshime të mëdha në standardet e ndryshme që kanë miratuar organizmat ndërkombëtare lidhur me transparencën fiskale, përmirësimin e klimës ndaj biznesit, luftën kundër korrupsionit dhe evazionit, të cilat ishin të domosdoshme për t’u marrë në konsideratë dhe për t’u pasqyruar në një projekt”, - u shpreh ministri i Financave. Sipas Bodes, drafti për projektligjin është fryt i konsultave të zgjeruara me FMN-në, Komisionin e BE-së, GTZ-në dhe diskutimeve të gjera me grupet e interesit duke reflektuar vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. “Ky draft është diskutuar në mënyrë publike me komunitetin e biznesit nëpërmjet shumë takimesh dhe aktivitetesh, të cilat kanë bërë dhe propozimet dhe vërejtjet e tyre, vërejtje të cilat janë analizuar nga grupi i ekspertëve të përbashkët dhe janë reflektuar në draftin përfundimtar, duke i përputhur propozimet e tyre me standardet më të mira ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të përdorura”, - tha ministri Bode. Ai u shpreh se drafti për projektligjin sjell një sërë të rejash dhe përparësish, duke forcuar transparencën dhe sanksionuar dixhitalizimin e të gjitha procedurave për nxjerrjen e tatimeve dhe taksave.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›