Lejet dhe licencat, jo më në dorën e ministrave
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se dhënia e licencave dhe lejeve do të hiqen nga kompetenca e ministrive dhe do të krijohen “one stop shop” për të realizuar dhënien e tyre. Kryeministri theksoi se ashtu siç është deklaruar edhe më parë nga qeveria se ky vit do të jetë viti i privatizimeve, liberalizimit dhe dixhitalizimit, si drejtimet më themelore të vitit, edhe heqja e licencave dhe lejeve nga ministritë merret në këtë frymë. “Licencat do të kenë dy fate, njëri prej të cilëve është heqja e tyre në maksimumin ekstrem të mundshëm. Çdo licencë e hequr është hap drejt lirisë, është shfrytëzim i pasurive të lirisë”, - tha kryeministri. Por, - shtoi ai, - askund në botë nuk ekziston një vend pa asnjë licencë, sepse disa prej tyre janë të domosdoshme për të mbrojtur qytetarin, për të mbrojtur vlera të mëdha. “Ka vende në të cilat ministritë dhe licencat janë dy gjëra të ndryshme. Kjo do të thotë që do të krijohen “one stop shop” për licencat dhe lejet. Ashtu siç është “one stop shop” për regjistrimin e biznesit, ne do të krijojmë “one stop shop” për ato licenca që do të mbeten pa hequr”, - tha kryeministri. Ai vuri në dukje se kjo praktikë është provuar në disa vende si një sukses i madh në shërbim të biznesit. Ajo ka reduktuar kohën e marrjes së një licence nga 90 ditë mesatarisht në 10 ditë. Kjo praktikë ka ulur me 30-40 herë korrupsionin në fushën e licencave. “Shqipëria duhet ta instalojë dhe do ta instalojë me shpejtësi këtë praktikë, cilado që të jetë kostoja dhe çmimi i saj, sepse është praktika më moderne e lëshimit të tyre”, - shtoi më tej Berisha. Kryeministri i kërkoi Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Punëve Publike dhe të gjitha ministrive që të shqyrtojnë ligjet me të cilat do të instalohet ky sistem, duke nënvizuar se kryesisht bëhet fjalë për lejet e ndërtimit dhe ndonjë leje tjetër e rëndësishme. “Heshtja është miratim, është parimi më i mirë për t’i vënë fre burokracisë dhe zvarritjes, por nga ana tjetër veprimi që vjen pas në tërësi do të jetë shumë pozitiv, por mund të ketë raste edhe të ketë pasoja negative. Ndaj dhe duhet të parashikojmë në çdo ligj sanksione shumë të rënda penale. Të mos ndalemi vetëm me gjoba të lehta”, - u shpreh kryeministri.
6 Mars 2008