Ligji “Për falimentimin” miratohet në komisionet parlamentare
Projektligji “Për falimentimin e sipërmarrjeve private” është miratuar dje edhe në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Kjo gjë do t’u hapë rrugën organeve tatimore që të kenë të drejtën për të kërkuar menjëherë në gjykatë nisjen e procedurave të falimentimit për çdo sipërmarrje apo biznes privat që nuk është në gjendje të paguajë taksat, ose që figuron në dokumente me një bilanc negativ fitimesh. Por edhe pse projektligji ka gjetur miratimin nga ana e deputetëve të maxhorancës, opozita e ka kundërshtuar këtë miratim me argumentin se këto janë masa represive nga ana e qeverisë ndaj biznesit privat në tërësi. Kjo gjë u ka çelur rrugën dhe debateve mes deputetëve në këtë komision, ku sipas deputetit të PS-së, Pandeli Majko, “nëse nuk do të merren masa në kohën e duhur, Ministria e Financave do të nisë procedimet dhe bashkë me tatimorët do të fillojë sporti i falimentimit të subjekteve”. Por, sipas deputetit të PD-së, Ilir Rusmali, me anë të këtij projektligji qeveria kërkon që të nxjerrë nga loja të gjitha ato biznese që deklarojnë bilance negative si e si që të mos paguajnë taksat dhe detyrimet e tjera tatimore. “Është gjykata ajo që gjykon nëse një subjekt ka falimentuar apo jo dhe nuk janë organet tatimore që e vendosin këtë gjë”, - ka deklaruar deputeti Rusmali. Sipas tij, në vend ka pasur edhe subjekte private, që prej 7 vitesh deklaronin bilance negative për të mos paguar taksat.
6 Mars 2008