Partia Demokratike ngre seksione për zgjedhjet brenda partisë
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike është mbledhur ditën e djeshme dhe ka vendosur ngritjen e seksioneve për zgjedhjet brenda partisë. Partia Demokratike ka zyrtarizuar dje nisjen e punës për zgjedhjet e reja në degët në të gjithë vendin. Në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar, ku të pranishëm kanë qenë edhe deputetët e grupit parlamentar, është miratuar udhëzimi për procedurat që do të ndiqen për zgjedhjet e reja në parti. Materiali prej nëntë faqesh përcakton në mënyrë të detajuar kriteret dhe procedurat që do të ndiqen që nga seksionet deri në degët kryesore të partisë. Mësohet se nga mbledhja e djeshme kreu i demokratëve u ka kërkuar që bashkë me zgjedhjet nëpër degë të bëhen edhe anëtarësimet e reja. Bëhet e ditur se lideri Berisha ka kërkuar që pjesë e PD-së duhet të bëhen të gjithë ata të rinj që do të ndihmojnë këtë forcë politike për të realizuar programin e saj në qeveri. Këshilli Kombëtar, në mbledhjen që ka zgjatur vetëm 20 minuta, ka vendosur ngritjen e 20 grupeve, që përbëhen nga deputetë dhe anëtarë të kryesisë dhe që do të monitorojnë nga afër procesin e zgjedhjeve në PD.
6 Mars 2008