E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha u heq ministrive të drejtën për licencimin e bizneseve

Qeveria do të krijojë “one stop shop” për dhënien e licencave dhe lejeve. Koha e marrjes së licencës do të reduktohet nga 90 ditë në 10 të tilla
Ervin Koçi

Licencat për subjektet e ndryshme të bizneseve nuk do të jenë më në kompetencë të ministrive të caktuara, por i një sporteli të veçantë të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Ky ka qenë deklarimi më i fundit i kryeministrit Berisha, i cili ka bërë të ditur dje në mbledhjen e qeverisë “vullnetin” e tij për ngritjen e “one Stop Shop”-it për licencat dhe lejet. “Licencat do të kenë dy fate, njëri prej të cilëve është heqja e tyre në maksimumin ekstrem të mundshëm”, - ka deklaruar kryeministri Berisha dje, gjatë mbledhjes së qeverisë. Sipas tij, “çdo licencë e hequr është hap drejt lirisë, është shfrytëzim i pasurive të lirisë. Askund në botë nuk ekziston një vend pa asnjë licencë, sepse disa prej tyre janë të domosdoshme për të mbrojtur qytetarin, për të mbrojtur vlera të mëdha”. Berisha ka shtuar më tej se ka vende në të cilat ministritë dhe licencat janë dy gjëra të ndryshme. “Kjo do të thotë që do të krijohen ‘one stop shop’-e për licencat dhe lejet. Ashtu siç është ‘one stop shop’-i për regjistrimin e biznesit, ne do të krijojmë edhe ato për licenca që do të mbeten pa hequr”, - tha kryeministri Berisha.

Shkurtimi i procedurave

Kryeministri vuri në dukje se kjo praktikë është provuar në disa vende si një sukses i madh në shërbim të biznesit. Ajo ka reduktuar kohën e marrjes së një licence nga 90 ditë mesatarisht, në 10 ditë. Kjo praktikë ka ulur me 30-40 herë korrupsionin në fushën e licencave. “Shqipëria duhet ta instalojë dhe do ta instalojë me shpejtësi këtë praktikë, cilado që të jetë kostoja dhe çmimi i saj, sepse është praktika më moderne e lëshimit të tyre”, - tha kryeministri. Kryeministri i kërkoi Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Punëve Publike dhe të gjitha ministrive që të shqyrtojnë ligjet me të cilat do të instalohet ky sistem, duke nënvizuar se kryesisht bëhet fjalë për lejet e ndërtimit dhe ndonjë leje tjetër e rëndësishme. “Heshtja është miratim, është parimi më i mirë për t’i vënë fre burokracisë dhe zvarritjes, por nga ana tjetër, veprimi që vjen pas, në tërësi do të jetë shumë pozitiv, por mund të ketë raste edhe të ketë pasoja negative. Ndaj dhe duhet të parashikojmë në çdo ligj sanksione shumë të rënda penale. Të mos ndalemi vetëm me gjoba të lehta”, - u shpreh kryeministri.

Vendimet e qeverisë

Kryeministri theksoi se, ashtu siç është deklaruar edhe më parë nga qeveria se ky vit do të jetë viti i privatizimeve, liberalizimit dhe dixhitalizimit, si drejtimet më themelore të vitit, edhe heqja e licencave dhe lejeve nga ministritë merret në këtë frymë. Në qeveri ka mbërritur për miratim edhe projektligji i ri për procedurat tatimore. Ministri i Financave u shpreh se drafti për projektligjin është fryt i konsultave të zgjeruara me FMN-në, Komisionin e BE-së, GTZ-në dhe diskutimeve të gjera me grupet e interesit duke reflektuar vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. Bode u shpreh gjithashtu se drafti për projektligjin, sjell një sërë të rejash dhe përparësish, duke forcuar transparencën dhe sanksionuar dixhitalizimin e të gjitha procedurave për nxjerrjen e tatimeve dhe taksave.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›