Braçe: “Qeveria po shkatërron ekonominë e tregut”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, deklaroi se çmimet e referencës të vendosura nga qeveria po shkatërrojnë tregun e lirë dhe ekonominë e tregut në vend. “Kryeministri, së bashku me qeverinë e tij, në një sërë aktesh nënligjore, po cenojnë rëndë parimin e ekonomisë së tregut dhe natyrisht, lirinë e tregut. Qeveria ka nxjerrë gjatë këtyre muajve të fundit disa akte apo udhëzime që kanë forcën e akteve nënligjore në veprim, të cilat cenojnë rëndë sistemin e ekonomisë së tregut në vend. Sot, përmes një udhëzimi, të gjithë operatorët në treg janë të detyruar të paguajnë çmime referuese në të gjitha zyrat doganore ku ata paraqiten për të zhdoganuar mallrat e tyre. Pra jo çmime me fatura, jo të vendosura mbi bazë të akt-marrëveshjeve apo kontratave në fuqi me partnerët e tyre në import, por çmime referuese të cilat i përcakton qeveria dhe agjencia e saj, që është Drejtoria e Përgjithshme e Doganave”, - tha Braçe.
6 Mars 2008