Bello: “Shitja e ish-hotel “Dajtit” shkeli ligjin”
Ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Pajtim Bello, tha se shitja e ish-hotel “Dajtit” është bërë në kundërshtim me ligjin e shitjes së pronës publike. “Shitja e pronës publike bazohet mbi legjislacionin mbi privatizimin. Por, në këtë rast kemi privatizim mbi Kodin Civil, që gjen hapësira për të mos bërë ankand”,- tha Bello. Sipas Bellos, ligji është shkelur jo vetëm nga qeveria, por edhe nga Banka e Shqipërisë. “Edhe Banka e Shqipërisë është në shkelje të legjislacionit, sepse ky institucion nuk mund të blejë asgjë pa tender”,- u shpreh Bello. Ish-zëvendësministri thotë se ky operacion financiar është i paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar. Godina e ish-hotel “Dajtit” u ble nga BSH-ja për transferimin e zyrave për sa kohë të rikonstruktohet godina e saj qendrore.
Ministria e Financave nis punën për krijimin e një tjetër banke shtetërore
Ministria e Financave filloi dje për herë të dytë kërkimet për një partner të huaj për Kompaninë e Parë të Zhvillimit Financiar të Shqipërisë, një institucion financiar kreditues i krijuar si pasardhës i Fondit për Zhvillimin e Zonave Malore. Njoftimi i Ministrisë së Financave thotë se i interesuari do të ketë për detyrë të fuqizojë funksionimin e këtij institucioni përmes zhvillimit të produkteve të reja financiare, si dhe të kontribuojë me minimalisht 5 milionë euro kapital të ri. Ofrohet gjithashtu edhe mundësia për të blerë në të ardhmen aksionet e qeverisë shqiptare. I krijuar në vitin 1999 si një projekt i financuar nga IFAD, kompania zhvilloi aktivitetin e vet në kreditimin e sipërmarrjeve bujqësore në zonat malore të vendit. Aktualisht ajo ka rreth 4900 kredimarrës aktivë me portofol kredish prej 16 milionë dollarësh. Gjatë vitit të kaluar, kompania realizoi fitime prej 276 mijë dollarësh amerikanë, ndërsa vetëm 5.65 për qind e kredimarrësve të saj kanë vonuar shlyerjen e kësteve të kredive për më shumë se 30 ditë. Kjo është një normë kredish të këqija shumë më e ulët se sa mesatarja kombëtare, e cila është aktualisht rreth 11.7 për qind. Totali i aseteve të kompanisë është 18 milionë dollarë, ndërsa kapitali është 11.4 milionë dollarë. Ajo zotëron 27 sportele kreditimi në zonat kodrinore dhe malore të vendit.
15 Maj 2010