Bello: “Taksa e sheshtë, qeveria po grabit shqiptarët”
Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, akuzoi dje qeverinë se po grabit dhe po varfëron gjithnjë e më shumë familjet shqiptare, pas aplikimit të taksës së sheshtë. Bello tha se politikat e dështuara fiskale të kryeministrit Berisha po rëndojnë nivelin e varfërisë të të gjithë shqiptarëve. “Që nga vjeshta e vitit që shkoi kryeministri Sali Berisha ka vendosur mbi çdo familje shqiptari që ka të paktën një njeri të punësuar, në shtet apo në privat, tatim 10% mbi të ardhurat nga puna, e famshmja Taksë e Sheshtë. Në kushtet e krizës së ushqimeve kjo taksë po varfëron çdo familje shqiptari që jeton me punën e saj. Çdo familje shqiptari e fillon muajin me –10 % të të ardhurave nga paga, të cilat shkojnë për llogari të kryeministrit Berisha. Përkundrazi, me politikën e saj fiskale, taksat dhe rikthimin brutalisht të sistemit të referencave qeveria e kryeministrit Sali Berisha po ndikon edhe më tej në varfërimin e familjeve shqiptare. Veprimi i Sali Berishës demonstron krizë mbi krizë dhe ka si produkt varfëri mbi varfërinë”, tha Bello. Ai shtoi se taksa e sheshtë do t’u kushtojë 200 milionë dollarë xhepave të shqiptarëve, të cilët do të gjenden edhe më të pambrojtur nga kriza e ushqimit dhe rritja e shpejtë e çmimeve.
29 Prill 2008