PS: Berisha të shkarkojë kreun e Tatimeve
Partia Socialiste kërkon nga kryeministri Berisha që të shkarkojë drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, i cili është i akuzuari kryesor për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Kryetar i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, tha se është e turpshme për kryeministrin Berisha që nuk zbaton ligjin.
“Nuk e kuptojmë dot se si ka mundësi që zoti kryeministër vazhdon t’i nxjerrë bojën këtij shteti, duke mos shkarkuar nga detyra një të akuzuar për vrasje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda? Drejtori i Tatimeve nuk shkon dot as në Maqedoni, sepse nuk ka pasaportë. Sepse pasaporta i është bllokuar nga Prokuroria, pasi akuzohet për vrasje. Turp më të madh nuk ka! Shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh qeverisë, ose më saktë tekave të kryeministrit, që nuk shkarkon një të akuzuar. Ndërkohë që ajo që kërkohet është vetëm minimumi i minimumit. Them minimumi sepse ne kemi plotësisht të drejtë t’i kërkojmë kryeministrit që na ka premtuar se do të luftojë “dhëmbë për dhëmbë” krimin. Na ka premtuar dhe po na krenohet ky kryeministër se po lufton krimin pa asnjë paragjykim, ndërkohë që mban në krye të Taksave të shtetit të akuzuarin për krim, madje të rëndë”, - tha Manjani.
Ai u shpreh se qeveria dhe kryeministri Berisha po shkelin rëndë ligjet, duke cenuar edhe pavarësinë e organeve të drejtësisë si Prokuroria dhe Gjykata. “Kjo qeveri po u thotë me zë të lartë shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve se ka vendosur të luftojë krimin e kujtdo, por jo të vetes së saj. Cilido i akuzuar deri sot nga Prokuroria e Krimeve të Rënda mbahet në burg, ndërsa të akuzuarit që i mbron kryeministri janë jo vetëm të lirë, por edhe në krye të Tatimeve. Ky është diskriminim i shëmtuar. Ky është diskriminim jo kushtetues i kryer nga qeveria e një shteti anëtar të Këshillit të Europës dhe në pritje për t’u anëtarësuar në NATO. Edhe një herë i kërkojmë zotit kryeministër të shkarkoj drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, duke i lënë prokurorinë dhe gjykatën të qeta të bëjnë detyrën e tyre. Duhet t’i lërë të bëjnë detyrën, sepse kështu autoriteti i tyre cenohet gjithnjë e më shumë”, - deklaroi Manjani.
29 Prill 2008