E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, letër Ramës: “Mbështet Referendumin për të mbrojtur Kushtetutën”

Kreu i LSI-së: “‘Bashkimi i ri’ duhet të nisë nga firmat e deputetëve për referendumin”. Meta: “Populli shqiptar duhet të vendosë për fatin e Kushtetutës”

Shaban Sulçe
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i ka dërguar një letër kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, duke i kërkuar rinisjen e bashkëpunimit dhe bashkimit të opozitës në emër të mbrojtjes së Kushtetutës. Meta ka theksuar se “Bashkimi i ri” i opozitës duhet të nisë pikërisht nga mbledhja e firmave të deputetëve socialistë për organizimin e referendumit për ndryshimet kushtetuese. Kreu i LSI-së shprehet në këtë letër se duhet të jetë populli ai që duhet të vendosë për fatin e Kushtetutës dhe demokracisë në vend, dhe jo kulisat dhe marrëveshjet me Sali Berishën.
Letra
Duke i kërkuar kuptimin e ftesave të vazhdueshme që Rama ka bërë në drejtim të Metës për bashkim, kreu i LSI-së nënvizon se nëse këto ftesa janë për të larguar kryeministrin Berisha, janë të mirëpritura. Ai thekson se bashkëpunimi i kërkuar, më parë duhet të nisë që nga mbrojtja e Kushtetutës, të cilën më shumë se 1 milion shqiptarë e votuan në vitin 1998. “Unë do t’ju pyesja: Mos po na thërrisni në këtë sezon të ri bashkëpunimi që të përmbushim edhe çështjet e tjera të axhendës opozitare, përveç zgjedhjes së presidentit, që me votat e partisë që drejtoni u mor nga Berisha, zgjedhjeve të parakohshme që nuk u realizuan kurrë, e reformës zgjedhore që ju e bëtë përsëri vetëm me Berishën, çështje për të cilat kishim nënshkruar një “marrëveshje historike” të vitit 2006, që ju e keni cilësuar si “më të qenësishmen e politikes së re”? Apo po na thërrisni për të koordinuar veprimin opozitar, për të larguar kryeministrin e korruptuar të Gërdecit, por këtë herë jo me protesta pa zë? Nëse është kjo e fundit, le t’ia nisim urgjent, që sot, pa humbur asnjë minutë dhe më së pari me mbrojtjen e Kushtetutës së shembur e të përçudnuar në natën e errët të 21 prillit, në tradhti të plotë nga 115 deputetë, të cilët përbaltën vullnetin e një milion shqiptarëve që e votuan atë në vitin 1998. Le të bashkohemi një orë e më parë për të ndrequr atë që ju shkatërruat, nga naiviteti, moskuptimi apo shantazhi, së bashku me Sali Berishën, në një përpjekje të paprecedent në historinë e pluralizmit politik”, - shkruan Meta në letrën dërguar kreut të selisë rozë, Edi Rama.
Referendumi
Duke iu drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, Meta shprehet se “Bashkimi i ri” duhet të nisë që nga bashkimi i firmave të deputetëve socialistë në kërkesën e LSI-së për organizimin e referendumit për ndryshimet kushtetuese. Ai thekson në letër se fati i Kushtetutës duhet të vendoset nga vetë populli shqiptar, dhe jo nga dëshirat e Sali Berishës. “Le të vendosë populli nëse pranon, që Kushtetuta e vendit të tij të jetë e kundërta e asaj që fitoi në referendumin e vitit 1998, të përmbyset me qëllimin e vetëm për të çimentuar pushtetin e kryeministrit Berisha përmes ndryshimit të neneve 104 e 105 lidhur me mocionin e besimit e mosbesimit të kryeministrit, nëpërmjet të cilëve Parlamenti humbet kontrollin ndaj kryeministrit dhe me ndryshimet që ju keni bërë, kryeministri bëhet i paprekshëm, i pandryshueshëm, dhe jo vetëm kaq, por mban në çdo moment nën shantazh Parlamentin, duke kërcënuar me shpërndarjen e tij. Veçse nëse populli shqiptar dëshiron ta certifikojë këtë Republikë të Sali Berishës – atëherë ashtu u bëftë! Përndryshe, kurrkush nuk mund ta vendosë këtë në tavolinë, as edhe ju me Sali Berishën”, - vijon kryetari i LSI-së në letrën drejtuar Ramës.
Apeli
Së fundi, lideri i LSI-së Ilir Meta ka përsëritur apelin drejtuar Ramës për t’u bashkuar kundër dëshirës së mbrapshtë të Sali Berishës për pushtet pa kufi.
“Berisha është vërtet i ekzaltuar, që ëndrrën kushtetuese të vitit 1994 për t’i përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij si president e realizoi tani, duke u bërë një kryeministër i gjithëpushtetshëm, në momentin që kishte pozitat më të dobëta për shkak të krimit shtetëror të Gërdecit, ku e gjithë bota e shikon si kryefajtor. Ju që keni vizionin për të dialoguar me shqiptarët në çdo qytet e fshat, duke i pyetur me shqetësim edhe për kastravecin e lulelakrën, besoj se nuk do t’u mohoni atyre të drejtën që të shprehen për Kushtetutën dhe të ardhmen e tyre.
E në radhë të parë nuk besoj se këtë të drejtë do t’ua mohoni anëtarëve e simpatizantëve të Partisë Socialiste, e cila, meritë kryesore në këto 18 vjet pluralizëm ka pikërisht bërjen e vendit me një Kushtetutë demokratike e Europiane, përmes një referendumi mbarëpopullor”, - përfundon letra e kreut të LSI-së, Ilir Meta, dërguar kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

29 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›